Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja pret që Kurti e Vuçiq të jenë konstruktivë për propozimin evropian

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin qasje konstruktive nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me propozimin evropian në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

“Ne presim që të dy liderët t'i qasen takimeve në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”, ka thënë Departamenti i Shtetit në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, shkruan “Zëri i Amerikës” në versionin serb.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Siç ka thënë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, përveç deklaratës zyrtare të pranimit, Kurti e Vuçiqi duhet të shqyrtojnë edhe detajet e zbatimit të propozimit evropian.

Departamenti i Shtetit ka thënë se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të përdorin bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Pyetur nëse mund të pritet një përparim apo edhe një pikë kthese pas rundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, Departamenti i Shtetit ka thënë se është inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme”, thuhet nga DASH-i.

Kurti e Vuçiq pritet të takohen në Bruksel të hënën. Pritet të diskutohet për propozimin evropian.