Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Departamenti i Shtetit kërkon “përmbushje urgjente të detyrimeve” nga Kurti e Vuçiqi

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga dialogu që po zhvillojnë, duke komentuar takimet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me liderët evropianë.

“I mirëpresim takimet e zhvilluara për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë që do të sigurojë marrëdhëniet e tyre paqësore dhe produktive dhe do të përmbushë aspiratat e tyre për anëtarësim në bllok”, ka thënë Departamenti i Shtetit.

Pesë vendet e QUINT-it paraqitën të shtunën e javës së kaluar në Prishtinë e Beograd një plan të ri “modern”, përfshirë draftin e Asociacionit, që ishte edhe pika kryesore e diskutimeve të Kurtit e Vuçiqit me liderët evropianë të enjten në Bruksel.

Pas dështimit në arritjen e dakordimit për zbatimin e planit të prezantuar nga pesë vendet e QUINT-it, Borrelli nëpërmjet një deklarate për media ka thënë se kjo ndodhi për shkak të parakushteve që palët i kanë vendosur njëra-tjetrës.

Por sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante Marrëveshjen bazë, duke theksuar që Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja dhe vendi i duhur për ta bërë këtë. Kurti ka shprehur gatishmëri për ta firmosur edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, i cili flet për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Sipas ekzekutivit, Vuçiqi ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën i zhbën tri parime të Marrëveshjes bazë, të Aneksit të zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor.

Edhe Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit: Së pari ajo e Brukselit LAJMET E MBRËMJES Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit: Së pari ajo e Brukselit

Ndërsa, Vuçiqi ka thënë se Kurti "përdori një truk të mirë" gjatë takimit në Bruksel, pasi siç thotë ai, kryeministri i Kosovës dëshiron të blejë kohë pasi s'dëshiron të bëjë asgjë nga dakordimet e arritura në marrëveshje.