Arbëri

Merret vendim për hapje të konkursit pas dorëheqjes së Kabashiqit si anëtar i KGJK-së

Pas dorëheqjes së anëtarit të komunitetit serb nga Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Nikolla Kabashiq, Komisioni për Legjislacion ka vendosur ta hapë konkursin për një anëtar të ri nga ky komunitetet. Ky është konkursi i parë për ndonjë anëtar të sistemit gjyqësor, që prej nëntorit kur serbë nga veriu dhanë dorëheqje. Anëtarë të Komisionit kërkuan që të ndiqen kritere rigoroze, meqë, sipas tyre, Kabashiq sa ishte në pozitë përfaqësonte më shumë Serbinë

Komisioni Parlamentar për Legjislacion të mërkurën ka vendosur të shpallë konkursin e parë në sistemin gjyqësor pas dorëheqjes së gjyqtarëve e prokurorëve serbë nga veriu.

Pas paraqitjes së dorëheqjes së anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikolla Kabashiq, që iu bashkua valës së dorëheqjeve të nëntorit, Komisioni i Kuvendit ka marrë vendim të hapë konkurs për një anëtar serb të këtij institucioni.

“Më 22 nëntor të vitit të kaluar kryesuesi i KGJK-së ka njoftuar kryetarin e Kuvendit se z. Nikolla Kabashiq, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit. Në përputhje me nenin 10 të Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku përcaktohet procedura e propozimit zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ne praktikisht jemi të detyruar që ta shpallim konkursin për këtë pozicion”, ka thënë kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.

Deputetët e Komisionit thanë se duhet të ndiqen kritere rigoroze si para, ashtu edhe gjatë intervistimit të kandidatëve që do t’i dërgojnë në Kuvend për votim, ndërsa vlerësuan se Kabashiqi në të kaluarën e ka përfaqësuar Serbinë në raport me Kosovën.

“Unë kam qenë pjesë kur i kemi shqyrtuar CV-në e tij dhe ky në CV-në e vet e ka pasur që edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ky ka qenë në anën e Serbisë, pjesë e delegacionit të tyre. Fatkeqësisht e ka marrë votën e Kuvendit të Kosovës. Për mua ka qenë e papranueshme, por megjithatë ka ndodhur kështu që mirë që ka dhënë dorëheqje ky”, ka thënë Driton Selmanaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion.

“Do të na duhet ta rishikojmë komplet procedurën e intervistimit dhe të anëtarëve për Këshill Gjyqësor të Kosovës, aq më tepër që për këto pozicione po kërkohet një votim i veçantë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për KGJK-në, që votohet nga votat e komunitetit përkatës që po bie pesha e votës së shumicës, prandaj kjo nënkupton që faza e selektimit dhe intervistimit të jetë brenda Komisionit sa më e saktë dhe sa më e bazuar që në fund kur të dërgojmë në Kuvend propozimin, të garantohemi që është në përputhje me ligjin e ligjet e tjera në Kosovë”, ka thënë Rrustemi.

Zëvendëskryesuesi i KGJK-së, Qerim Ademaj, ka thënë për KOHËN se nuk është në dijeni për shpalljen e konkursit për anëtar të ri të Këshillit.

Mandati i Kabashiqit, sipas tij, është në dorën e Kuvendit, pasi edhe zgjidhet nga ai. Ademaj thotë se deri më tash nuk janë miratuar dorëheqjet, pasi janë duke u zhvilluar hetime e procedura disiplinore për shkak të pjesëmarrjes së disave në aktivitete politike. Sipas KGJK-së, dorëheqje kanë dorëzuar 25 gjyqtarë dhe 119 zyrtarë të tjerë të sistemit gjyqësor.