Arbëri

Vuçiq: Krenar që isha i sanksionuar nga Perëndimi në vitin 1999

Kuvendi i Serbisë ka vazhduar të premten ditën e dytë të diskutimit për Kosovën. Të enjten kur u mbajt seanca e parë, u shënuan disa incidente kur deputetët e opozitës së djathtë shfaqën pankarta, më e madhja prej të cilave ishte “Jo ultimatumit – Jo kapitullimit”, referuar propozimit franko-gjerman, pas të cilit për një kohë të shkurtër rrethuan presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Zhika Gojkoviq, deputete e pavarur, ka mbrojtur vazhdimin e dialogut me Prishtinën, sepse në të kundërtën do të kemi shembje të shtetit dhe konflikte, ka thënë ajo.

Robert Kozma, anëtar i Grupit të Gjelbër NDB, iu drejtuar Vuçiqit se “për dhjetë vjet ju keni negociuar dhe gjithmonë duke negociuar që të qëndroni në pushtet, ndërsa për qytetarët e Kosovës po rritet pasiguria dhe dyshimi, sepse SNS-ja ka krijuar një mbretërim terrori në veri të Kosovës”.

Vuçiq u përgjigj se nëse nuk do të kishte negociuar, Serbia do ta kishte njohur tashmë Kosovën. Ai gjithashtu deklaroi se gjatë ditës së djeshme i është dashur të mohojë 24 gënjeshtra, raportoi Danas.

Ai ka deklaruar se ndihej krenar për sanksionet e vendosura ndaj tij nga Perëndimi në vitin 1999, sepse ishte i lumtur që ishte “kundër atyre që bënë agresion ndaj Serbisë”.