Arbëri

Çitaku: Kurti t’ia paraqesë kushtet Serbisë dhe emisarëve, jo neve

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e parë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti, nuk e ka opozitën palë në negociata, por Serbinë dhe emisarët ndërkombëtarë.

Çitaku ka shkruar të enjten në Facebook se Kurti duhet të negociojë me ta dhe se kushtet që i ka paraqitur në seancën e Kuvendit, duhet t’ua thotë atyre.

Sipas saj, PDK-ja e mbështet një marrëveshje me Serbinë, që në qendër e kaq njohjen reciproke.

“Kryeministri nuk na ka neve palë në negociata. Kryeministri në negociata e ka përballë Serbinë, dhe emisarët në mes. Me ta duhet të negociojë. Jo me ne. Atyre duhet thënë kushtet, e jo neve. Për PDK-në, interesi i Kosovës është gjithmonë para kundërshtive të brendshme. Për dallim nga Kryeministri, PDK është konsistente për dialogun. Ne mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila në qendër ka njohjen reciproke. Ndërkohë, për Kryeministrin, ballafaqimi me arkivat e lajmeve dhe rrëfimeve që i ka ndërtuar vet, duket të jetë më i vështiri”, ka shkruar Çitaku.