Kuvendi i Kosovës, në seancën e mbajtur të enjten, ka dështuar që të zgjedhë një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pasi që asnjëri nga kandidatët nuk ka marr votat e mjaftueshme.
Në raundin e fundit të votimit kanë marr pjesë 69 deputetë. Prej këtyre 36 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme, 26 kanë votuar për Besnik Bislimajn dhe 7 për kandidatin Alban Ajvazi.
“Sipas këtij rezultati i bie që asnjëri nga kandidatët e propozuar për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk i mori votat e mjaftueshme, andaj ky konkurs duhet të përsëritet”, ka theksuar kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Kuvendi dështon të votojë gjashtë pika të rendit të ditës
Ndonëse ka pasur kuorum në sallën e Kuvendit, si pasojë e mospjesëmarrjes në votim të të gjithë deputetëve të pranishëm, Kuvendi i Kosovës të enjten ka dështuar të votojë gjashtë pika të rendit të ditës për të cilat diskutimet kanë përfunduar në seancat e kaluara.
Pikat që kanë dështuar të votohen janë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, Raporti me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, raporti me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për noterinë dhe votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.
Të gjitha këto kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se barten për seancën tjetër.