Apeli në Hagë ua ul dënimin me nga tre muaj Gucatit e Haradinajt

Apeli në Hagë ua ul dënimin me nga tre muaj Gucatit e Haradinajt
Gjykata e Apelit në Hagë ka ulur për tre muaj dënimin me burgimin të ish-krerëve të OVL UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Paneli i Apelit ka ulur dënimin nga 4 vjet e gjysmë sa ishin dënuar secili, në 4 vjet e tre muaj. Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë. Është ulur dënimi vetëm për tre muaj. Ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.
Kryetarja e trupit gjykues Michele Picard ka thënë se do të mbeten të dy në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin.
Në dënim do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.
“Anulohet vendimi i njësuar prej 4 vjet e gjysmë burgim për zotin Gucati dhe zotin Haradinaj dhe caktohet, me përjashtim të mospajtimit të gjyaktësit Ambos, një dënim i njësuar me 4 vjet e tre muaj burgim për zotin Gucati dhe 4 vjet e tre muaj për zotin Haradinaj duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim. Lë në fuqi dënimin shtesë për zotin Gucati dhe Haradinaj me një gjobë prej 100 eurosh. Vendos që ky aktgjykim të zbaothet me një efekt të menjëhershëm. Urdhëron që në pajtim me nenin 50 paragrafi 1 dhe rregullën 166, zoti Gucati dhe Haradinaj të mbesin në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e tyre në shtetin ku do të vuajnë dënimin”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues Michele Picard.
Më 18 maj, Gjykata Themelore në Hagë Gucatin e Haradinajn i kishte dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u dënuan për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.
Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.
Trupi gjykues i dënoi të dy edhe me nga 100 euro gjobë.
Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, Paneli i Gjykatës së Apelit theksoi se “Është me rëndësi themelore për përmbushjen e misionit të Dhomave të Specializuara që individët të cilët vijnë për të dhënë dëshmi, shpesh lidhur me përvoja traumatike ose të vështira, ta bëjnë këtë pa pasur frikë. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi është në themel të çdo sistemi të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë, pra, me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e procesit dhe sigurinë e dëshmitarëve”.
Sot aktgjykimi i Apelit për Gucatin e Haradinajn
Të enjten Gjykata e Apelit në Hagë do të bëjë shqiptimin e aktgjykimit në rastin kundër ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Seanca është paraparë të mbahet nga ora 14:00.
Gucati e Haradinaj ishin dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim për pengim të personave zyrtarë në kryerje të detyrës, për frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata u akuzuan se publikuan dokumentet e Speciales të cilat ishin dërguar në zyre të OVL-UÇK-së.
Mbrojtja e tyre ka apeluar vendimin. Ndërsa Apeli pritet të vendosë në këtë rast sot.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Alija: Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, gjykimet e krimeve të luftës do të bëhen të vështira

Deputeti Muja dorëzon kallëzim penal për “keqpërdorim multimilionësh” në Trepçë

GLPS-ja kërkon riformatimin e kabinetit qeveritar

Krasniqi sheh vetëm dështime te Qeveria Kurti: Kosova i humbi dy vjet

Krasniqi: Neni 7 i marrëveshjes me Serbinë do ta ndryshojë Kosovën

Pretendime për dallavere në konkursin e UP-së për punë praktike

Zhduket ish-ushtari i UÇK-së

Nxënësit ftohen për pjesëmarrje në marshin “Liria ka emër”

FDH-ja kërkon shtim të kapaciteteve për hetim e gjykim të krimeve të luftës

Opozita pa qëndrim unik për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Qeveria synon shtrirjen e FSK-së në gjithë vendin, NATO-ja thotë se ndalesa për veri është valide
