Arbëri

Gruda: Kurti s’mund t’i normalizojë raportet me Serbinë duke glorifikuar kriminelët e luftës

Descriptive Text

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, derisa ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, në 5-vjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ai tha se nuk mund të normalizohen raportet me Serbinë duke glorifikuar kriminelët e luftës për konsiderata politike.

I ftuar të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, Gruda ka thënë se Kurtit do të duhej t’i mjaftonte aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i nxjerrë nga një grup i gjyqtarëve ndërkombëtarë, ku thuhet se Ivanoviq ka kryer krime lufte kundër shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, për të mos deklaruar diçka të tillë siç bëri të hënën.

“Deklarata e kryeministrit është problematike në shumë dimensione sepse Oliver Ivanoviq ishte një kriminel lufte. Këtë e ka thënë edhe z.Kurti në një kohë tjetër, por tani thotë ndryshe. Oliver Ivanoviq ishte një kriminel lufte sepse kështu ka thënë Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktgjykimin e saj i nxjerrë nga një grup i gjyqtarëve ndërkombëtarë. Aty thuhet se Ivanoviq ka kryer krime lufte kundër shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, ai rast është kthyer në rigjykim në Gjykatën e Mitrovicës, por është kthyer për arsye procedurave jo për meritat e rastit. Provat kanë ekzistuar, materiale, dëshmitarët shqiptarë që iu kanë marrë familjarët dhe janë vrarë nga z.Ivanoviq në mënyrë të organizuar. Kryeministri Kurti vendosi ta glorifikojë atë si një person që gjoja paska kontribuar në ndërtimin e një shoqërie multietnike në Kosovë, duke e pasur përballë aktgjykimet e gjykatës themelore në Mitrovicë”, ka thënë ai.

Sipas Grudës, Kosova duhet të bëjë politikë, diplomaci dhe të gjejë alternativa politike për të integruar komunitetin serb, e edhe alternativa për të ndërtuar një raport normal me Serbinë, por kjo nuk duhet të ndodhë “duke sakrifikuar të vërtetën dhe duke shkelur mbi gjakun e atyre që kanë vdekur në Kosovë”.

“Nuk mund të ndodhë paqja duke shkelur mbi viktimat, nuk mund të themi se po ndërtojmë raport normal me Serbinë duke glorifikuar kriminelët e luftës. Kjo nuk mund të pritej nga një kryeministër që në vijimësi ka mbajtur qëndrime të forta nacionaliste deri në atë shkallë që thoshte se nuk do të shkonte në dialog me Serbinë pa u gjetur çdo shqiptar i zhdukur e pa u paguar dëmet e luftës dhe erdhi dita që të na thuhet neve se erdhi dita që të na thuhet neve se bëka të glorifikohet një kriminel lufte për konsiderata politike”, ka thënë ai.

Gruda ka thënë se është harruar padia për gjenocid, e premtuar para se qeveria aktuale të formohej.

“Nuk është bërë asnjë veprim deri sot e në anën tjetër glorifikohet Ivanoviqi”, ka thënë ai.

Gruda ka thënë se Qeveria nuk ka plan për ta rregulluar gjendjen në veri pas largimit të serbëve nga institucionet atje.

“Veriu prej Qeverisë shihet vetëm si terren. Duket se Kurti ka një kompleks për të ndërtuar vetes një vend në historinë e Kosovës dhe po bën gjë të gabuar që tenton ta bëjë një vend në raport me Serbinë, sepse përmend luftë. Mund të bënte vend në histori si kryeministër në shëndetësi, ekonomi, por nuk mund ta bëjë”.

Ai ka folur edhe për gjykimet që po bëhen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ka thënë se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është degraduar.

Gruda ka theksuar se ka rënë besueshmëria në Specialen.

“Ky proces nuk duhet të kalonte një vit e gjysmë, dy por jo më shumë. Gjykata duhet ta shtojë dinamikën. Nuk ka kuptim të mbahen 4-5 vjet në paraburgim sepse ata do të dalin nga aty të pafajshëm dhe për ta është kosto e madhe për proces të stërzgjatur. Është e padrejtë që Prokuroria të hedh akuza ndaj atyre që mbahen në paraburgim, ata nuk janë të dënuar”.

Anëtari i PDK-së thotë se Qeveria dhe Presidentja duhet t’i ndalin sulmet ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

Ai ka përmendur deklaratën e presidentes Vjosa Osmani se Hashim Thaçi ka negociuar për korrigjim kufijsh dhe sipas tij deklarata të tilla nuk duhet të përdorin.

“Ajo është një që nuk duhet ta bëjë presidentja. Ajo deklaratë, prodhimi i një video nga VV-ja që e shfaqë Thaçin, Veselin si njerëz të korruptuar është fiks argumenti i Speciales dhe armiqve të tyre se ata janë të korruptuar dhe ata ndikojnë në drejtësi. Ajo video është argumenti që përdorin në Serbi dhe në Speciale”.

Ndërkohë, këto deklarata e video të publikuara ai i ka lidhur me traditën shqiptare. Gruda ka thënë se së paku krerët aktualë të shtetit do të duhej të kishin respekt ndaj ish-krerëve në Hagë dhe t’i respektonin për luftën për liri që kanë bërë.

“Është kundër një tradite shqiptare që ekziston me shekuj, që kur dikush është me një hall nuk ia rëndon më shumë, nuk e rëndon më shumë. Por nuk pres nga kjo Qeveri që të ketë konsiderata të tilla të traditës shqiptare kështu, por një minimum të një norme shqiptare duhet ta respektoj. Thaçi nuk është atje sepse ka qenë kryeministër, por sepse ka qenë luftëtar i UÇK-së. A mund të thuhet respekt minimal prej qeverisë për këtë?” ka thënë ai.