Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi të enjten të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti e Peach diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve, mbështetjen dhe për fushën e sigurisë.
“U diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e Zyrës.
Kurti deklaroi se Kosova ka shënuar progres demokratik, ligjor, ekonomik e social, që sipas tij, duhet të mbrohet me partnerët dhe aleatët.
“Ai po ashtu shprehu falënderimin e tij për angazhimin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në proceset integruese të Republikës së Kosovës”.
Me të dërguarin special të Mbretësisë së Bashkuar u takua gjatë ditës edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo iu bëri thirrje ndërkombëtarëve që t’i dënojnë tendencat destabilizuese të Serbisë e të mos i barazojnë palët.
Në takim me Peach, Osmani shtoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara dhe angazhuara për paqe e siguri.