Arbëri

Vuçiq: Nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, po presim të dhjetin

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se 106 shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, vetëm 84 e njohin pa mëdyshje dhe tri të tjera nuk kanë qartësi sa i përket njohjes apo mosnjohjes.

Në një konferencë vjetore të mërkurën në Beograd, Vuçiqi publikoi një listë të vendeve që tërhoqën njohjen e tyre.

“Ne kemi nëntë vende që kanë tërhequr njohjen - Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Barbuda, Saint Lucia, Maldivet. Dhe ne presim të dhjetin”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq tha ses Serbia po përballet me sfida të vështira sa i përket Kosovës. Sipas tij, Serbia do paqe me shqiptarët dhe se nuk po e provokon askënd.

“Ne donim paqe dhe mezi arritëm ta shpëtonim atë pa fajin tonë. Ne nuk kemi provokuar askënd për asnjë sekondë, përveç nëse thonë se provokimi ynë i vetëm është që qytetarët tanë në Kosovë i perceptojmë si qytetarë tanë, ose si pjesë të territorit në përputhje me Kushtetutën. Asnjë incident, asnjë lëvizje e njëanshme nuk është bërë nga Serbia. Ne nuk do të kemi turp për Kushtetutën dhe popullin tonë”, ka shtuar ai.

Duke folur për një marrëveshje përfundimtare me Kosovën, ai tha se Beogradi është i gatshëm të diskutojë zgjidhje të panumërta kompromisi për çështjen e Kosovës, por siç ka thënë ato zgjidhje duhet të jenë kompromis dhe jo poshtërim i Serbisë.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar, shtoi Vuçiq. Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.

Vuçiq tha se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët evropianë.