Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Arben Vitia – Doktor-pishmani

Descriptive Text

Më shumë se një vit më parë kur i hyri garës për kryeqytetin, Arben Vitia u zotua se, pavarësisht rezultatit, ai nuk do të kthehej ministër. Zgjedhjet i humbi e zotimin se më nuk do ta menaxhojë shëndetësinë e mbajti për rreth një vit.

Në fundin e dhjetorit u kthye sërish në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, në postin që e la për garën për Prishtinën. Emërimi u bë 79 ditë pas dorëheqjes së pasuesit të tij, Rifat Latifi. Kurti nuk ia ofroi këtë post askujt tjetër në parti pos Vitisë e ky e shqyrtoi ofertën për rreth 3 muaj.

Gjatë vitit u pa rrallë në publik. Ndonëse dështoi ta fitonte garën për Prishtinën, në vitin 2022 mori edhe një mandat për ta udhëhequr Vetëvendosjen në kryeqytet. E pati të lehtë – shpalli kandidaturën pak minuta para mbylljes së afatit, pas së cilës dy kundërkandidatët u tërhoqën.

Gjatë vitit deputetët shpeshherë në Kuvend folën për të. Kryesisht për punësimin e tij në një spital privat dhe për pagën e lartë që pretendonin se e merrte. E, gjatë gjithë vitit Vitia as nuk iu kundërvu deputetëve dhe as nuk foli për shëndetësinë.