Molliqaj bën thirrje për unitet: Të ndërrohet juridiksioni i Speciales

Molliqaj bën thirrje për unitet: Të ndërrohet juridiksioni i Speciales
“Jo në emrin tim” ka qenë slogani me të cilin në Prishtinë është protestuar kundër Gjykatës Speciale pas dënimit me 26 vjet burgim për krime lufte të ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje për unitet për ta kundërshtuar Gjykatën Speciale.
Para protestuesve të cilët u mblodhën të shtunën kundër Speciales, ai ka thënë se duhet të ndërrohet juridiksioni i kësaj gjykate.
“Lufta për liri është shenja që ky është shteti jonë. Damkosja e kësaj lufte është sulm mbi Kosovën e pavarur. Edhe 23 vjet pas çlirimit, çlirimi po ka kosto. Shikojeni dënimin absurd të komandant Calit. Shikoni aktgjykimin e kësaj gjykate ku thotë që duhet të dënohet komandant Cali është nëse viktima është vrarë nga plumbat e ushtrisë serbe. Kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por e ka qëllim dënimin e UÇK-së. Procesi i Speciales na ka nxjerrë edhe një mësim, liria mund të fitohet një herë, por duhet të mbrohet çdo ditë”.
Molliqaj ka thënë se duhet të veprohet tash dhe të mos priten dënime të tjera, por se duhet të rrëzohen edhe dënimet që tashme janë dhënë në rastin e Salih Mustafës.
“Ne nuk jemi këtu as me i dekoru ata që e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, as me i fajësu ata që e kanë votuar këtë gjykatë. Ata që e kanë kundërshtuar, nëse e kanë pasur përnjëmend e kanë edhe më shumë detyrë e obligim sot me luftu më shumë se atëherë. Ata që e votuan këtë gjykatë nën presionin e akuzës për trafikim organesh, sot e kanë të drejtën ta kundërshtojnë edhe më shumë se ata që e kundërshtuan atëherë. Duhet të bëhemi bashkë nëse e kemi njëmend mbrojtjen e UÇK-së. Nën akuzë e kemi përndjekjen për liri, i kemi themeluesit e UÇK-së, e kemi shtabin e UÇK-së, komandantë të zonave operative, prandaj atyre që u thuhet se nuk po dënohet UÇK-ja, por individët, përgjigjuni thjesht se juve nuk ju intereson as UÇK-ja”, ka thënë ai.
Ai ka dhënë porosi edhe për ndërkombëtarët duke thënë se nuk do të lejohet përndjekja politike për UÇK-në.
U.d i kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se Specialja gjykon vetëm shqiptarët dhe jo kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.
“Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet e masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serb ndaj civilëve. Gjykon vetëm UÇK-në, duke e quajtur edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Protestuesit kanë protestuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri në hapësirën përballë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Nis protesta kundër Speciales, pjesëmarrës edhe deputetë
Ka nisur protesta kundër Gjykatës Speciale pas dënimit të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Protesta është organizuar nga PSD-ja.
Në mesin e tyre janë parë edhe deputetë.
Hisen Berisha i PDK-së, Ganimete Musliu, Ariana Musliu Shoshi, e ish-deputeti Rasim Selmanaj i AAK-së janë parë në shesh ku po protestohet.
Protestohet kundër Gjykatës Speciale
Partia Socialdemokrate (PSD) të shtunën mban protestë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale pas dënimit të ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në konferencë për medie të hënën, tha se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia.
“Ftoj secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, secilën organizatë shoqërore dhe politike që me datën 24 dhjetor, ditë e shtunë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në orën 14:00 të bashkohemi në protestë për të marshuar drejt sheshit ‘Skënderbeu’ dhe për të adresuar kërkesat tona karshi institucioneve të Kosovës dhe për të dëshmuar që dënimi që është shqiptuar në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është në emrin tonë”, tha ai.
Partia Socialdemokrate (PSD) i ka dërguar gjithashtu shkresa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të nisin procedurat për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Lideri i PSD-së, tha se Gjykata Speciale po tenton të tjetërson historinë e Kosovës.
“Tash ka një tendencë që ka marrë rrugëtim për shtrembërimin e historisë së Kosovës”, deklaroi Molliqaj.
Javën e kaluar, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Krasniqi për “PISA 2022”: Analfabetizimi qeveritar ka prekur shkollat tona

Serbët paraqesin kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri

ORCA për “PISA 2022”: Katastrofë arsimore

Shoqëria civile thotë se reforma në drejtësi ka mbetur në udhëkryq: Qeveria dështoi

“PISA 2022”: Kosova, pothuajse në fund për lexim e shkencë

Kurti për vrasjen e Liridona Ademajt e 14-vjeçares në Shkup: S’mjafton vetëm arrestimi

Halitjaha thotë se UÇK-ja nuk pati as burgje e as gjykata ushtarake

Vdiq Shaip Morina, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme

Ish-ministri i Jashtëm lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, sot protestohet në Prishtinë

Moti sot në Kosovë
