Përfundon protesta në Rudar

Përfundon protesta në Rudar
Ka përfunduar protesta në Rudar e thirrur nga serbët lokalë të veriut të Mitrovicës.
Protesta ka kaluar pa incidente. Përveç kryetarit të Listës serbe, Goran Rakiç, kanë folur edhe kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq dhe pjesëmarrës të tjerë.
Ata kërkuan lirimin e të arrestuarve, tërheqjen e forcave policore nga veriu, si dhe anulimin e listës së arrestimeve me të dyshuar serbë.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, gjatë adresimit të tij para turmës, para se të mbyllej tubimi, ka thënë se nuk do të heshtin para “padrejtësive”.
Ai thotë se janë mbledhur në Rudar për të shprehur pakënaqësitë ndaj “arrestimeve të pabazave e keqtrajtimeve të popullit serb”.
“Duam t’i themi Prishtinës dhe mentorëve të tyre se ne jemi këtu, se duam paqe, por duam edhe liri dhe se nuk do t’u dorëzohemi atyre që do të shkatërrojnë gjithçka që është serbe”, tha Rakiq. “Zotërinj përfaqësues ndërkombëtarë, më vjen keq që s’mund të qëndrojmë të qetë derisa po na shkelin, se lotët e fëmijëve tanë jua prishin imazhin idilik për Kosovën demokratike. E di që e dini, por e përsërisë, zgjidhja e kësaj krize është në Prishtinë”.
Rakiq ka thënë se për të hequr barrikadat duhet lirimi i të arrestuarve, “tërheqja e listave sekrete për arrestimin dhe vrasjen e serbëve dhe tërheqja e njësive me tuba të gjata dhe autoblinda nga veriu i Kosovës e M., me garanci nga KFOR-i se këto njësi nuk do të vijnë në veri”.
“Ju ftoj të jemi të bashkuar, të bashkuar dhe këmbëngulës, e ardhmja e fëmijëve tanë është në duart tona dhe kjo nuk ka asnjë çmim”, tha Rakiq.
Të tubuarit kishin shpalosur një flamur serb 250 metra të gjatë, siç raporton “RTS”, ndërsa kishte edhe pano me shkrime.
“Ne nuk jemi kriminelë, të tillë janë forcat speciale të Kurtit”, “Rohde, kjo nuk është Gjermania për ty, kjo është Serbia!”, “Pse jemi kriminelë, sepse kërkojmë liri?” , “Kurti na kërcënon me vrasje, kurse Evropa hesht”.
I biri i ish-policit të arrestuar para turmës: Këto barrikada s’janë vetëm shkaku i babait tim
Predrag Pantiq, i biri i ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, që është arrestuar për sulm terrorist dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ka falënderuar gjithë të pranishmit në tubimin.
Pantiq, ish-pjesëtar i MUP-it serb, akuzohet për sulm ndaj zyrave të komisionit komunal zgjedhor në veri, ku ishin sulmuar me shok-bomba edhe zyrtarët policorë dhe ata të KQZ-së.
“Këto barrikada nuk janë ngritur vetëm për shkak të babait tim. Babai im është pika e fundit në detin e lëvizjeve të njëanshme, arrestimeve dhe keqtrajtimeve të popullit serb. Ai ka jetuar gjithë jetën këtu, nuk ka asnjë të metë në karrierën e tij, asnjë njollë. Ai është fajtor vetëm sepse është serb”, tha Pantiq.
Ai thotë se ka 13-ditë që nuk ka kontakt me të.
“Pse nuk ja ofrojmë babait tonë të bëjë një telefonatë e të na thotë se është mirë dhe se ka terapinë që i duhet si pacient me sëmundje të zemrës. Pse nuk i lënë mbrojtësit tanë ta shohin shkurt dhe ta vizitojnë. Kjo është shkelje e të drejtave themelore të njeriut”, ka thënë Pantiq.
E nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, në Twitter ka postuar se si serbëve nga jugu i Kosovës i është ndaluar të shkonin për të marrë pjesë në tubim. Ai ka postuar një foto të një gjobe, ku thuhet se shoferi i autobusit është ndaluar dhe gjobitur pasi donte të dërgonte personat në tubim.
Serbët mblidhen për të protestuar në Rudar
Një numër i konsiderueshëm i serbëve të veriut janë mbledhur në Rudar të enjten për të protestuar ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës që nxitën edhe dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore në nëntor.
Të pranishëm janë edhe përfaqësues të Listës Serbe.
Protesta do të nisë nga ora 12:00.
Në veri ka forca të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
Ndërkohë, presidenti serb ka bërë thirrje që të ruhet paqja.
Aleksandër Vuçiq ka thënë se serbët në veri të Kosovës do ta kenë gjithmonë mbështetjen e tij për kërkesat e tyre.
Nisin të mblidhen protestuesit në Rudar
Me vetura e autobusë janë duke u mbledhur serbët e veriut në Rudar ku pritet të mbahet protestë.
Protesta e cila është paralajmëruar të mbahet sot. Pritet të nis nga ora 12.
Në veri ndërkaq ka forca të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
EULEX-i ka deklaruar sot se janë duke e monitoruar situatën.
VIDEO:
Sot protestojnë serbët në veri
I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të Kosovës, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në një protestë që do të mbahet të enjten në Rudar të komunës së Zveçanit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.
Në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare ditë më parë, pati thënë se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, duke folur rreth situatës më të re të krijuar në veri të Kosovës, tha se barrikadat duhet të hiqen deri për Krishtlindje, si dhe kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme. /KSP

Krasniqi për “PISA 2022”: Analfabetizimi qeveritar ka prekur shkollat tona

Serbët paraqesin kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri

ORCA për “PISA 2022”: Katastrofë arsimore

Shoqëria civile thotë se reforma në drejtësi ka mbetur në udhëkryq: Qeveria dështoi

“PISA 2022”: Kosova, pothuajse në fund për lexim e shkencë

Kurti për vrasjen e Liridona Ademajt e 14-vjeçares në Shkup: S’mjafton vetëm arrestimi

Halitjaha thotë se UÇK-ja nuk pati as burgje e as gjykata ushtarake

Vdiq Shaip Morina, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme

Ish-ministri i Jashtëm lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, sot protestohet në Prishtinë

Moti sot në Kosovë
