Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas dënimit me 26 vjet Burgim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale.
“E tmerruar nga vendimi i Gjykatës në Hagë!!! Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin që t’iu qëndrojë fort bindjeve të mija të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime. Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten e më përkrahen në ato ditë torturuese që më besuan dhe më dhanë kurajo kur vendosa të votojë kundër kësaj gjykate që sot po e përdhosë gjakun e sakrificën e popullit tim”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ajo ka thënë se e ka ndërgjegjen e pastër që s’e ka votuar Ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Sot edhe pse ndërgjegjen e kam të pastër, shpirti im është rënduar nga dhimbja për CALIN dhe për veprën sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për KRYEVEPRËN E HISTORISË SONË KOMBËTARE. Lavdi e përjetshme luftës së CALIT dhe UÇK-së!”, ka shkruar Musliu.
Sipas saj ata që kanë deponuar në Hagës dosje kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do t’i përcjellë marrja edhe pas vdekjes. “Sot zemrat e popullit tënd rrahin për ty Cali! Faleminderit qe luftove për mbrojtjen e popullit dhe çlirimin e Kosovës! Ata/ato qe deponuan dosje në Hagë kundër çlirimtarëve marrja do ti përcjell edhe pas vdekjes! Ti je veç një çlirimtar!”, ka shkruar Musliu në Facebook.