Arbëri

Osmani në pritje të raportit të KQZ-së për zgjedhjet në veri

Vjosa Osmani - ligjerate ne Unviersitetin e Sofjes

Presidentja Vjosa Osmani, është në pritje të raportit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të marrë vendim për shtyrje ose jo të zgjedhjeve për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës.

“Ne jemi në pritje të raportit nga KQZ-ja”, ka thënë për KOHËN, këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

Ai ka thënë se Osmani të enjten e ka shpjeguar procedurën që ndiqet në raste të tilla.

Presidentja të enjten ka thënë se vendimi nëse do të shtyhen apo jo zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës do të merret për pak ditë.

Osmani pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave, ka theksuar se po pret raportin e institucioneve të sigurisë për situatën në veri.

Ajo ka thënë se raporti i institucioneve për situatën e sigurisë fillimisht shqyrtohet në KQZ dhe iu takon atyre të vlerësojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, e pastaj kërkesa i drejtohet Zyrës së Presidentes.

Osmani ka shtuar se me të marrë një kërkesë të tillë nga KQZ-ja do të konsultohet me partitë politike dhe vendimi do të merret duke u bazuar në konsensusin mes tyre.

Ajo ka thënë se në këto konsultime do ta ftojë edhe Listën Serbe, por se iu takon atyre nëse do të marrin pjesë.

Sipas vendimit të Osmanit, zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore do të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa për kuvendet komunale në Zveçan e Leposaviq më 25 dhjetor.

Por në ditët e fundit në veri janë shënuar disa incidente. Ka pasur hedhje të shokë-bombave, të shtëna me armë e sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Incidentet kanë nisur të martën e kësaj jave, kur zyrtarët e KQZ-së tentuan që të futen në zyrat e komisioneve zgjedhore komunale.