Për të kërkuar zgjimin e institucioneve në luftën kundër abuzimit të vajzave dhe grave në Prishtinë është organizuar një marsh protestues. Drejtuesit e organizatës joqeveritare “ArtPolis” kanë thënë se nisma “Boll Ma!...” është një thirrje për ta ndaluar abuzimin ndaj grave brenda e jashtë mureve, në hapësira publike e private. Në protestë u tha se mosraportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit.
Me moton “BOLL MA! abuzimi nuk fshihet brenda mureve”, në kryeqytet është marshuar kundër abuzimit seksual, fizik, emocional e ekonomik ndaj grave me aftësi të kufizuara.
Marshi i organizuar nga organizata joqeveritare “ArtPolis” u tha se ka qëllim parandalimin dhe raportimin e abuzimeve seksuale.
Aktivistja Resmije Rrahmani deklaroi se ky aktivitet është mundësia më e mirë për të penguar përkeqësimin e situatave të tilla.
“BOLL MA! Është një thirrje për të ndalur abuzimin kundër grave brenda dhe jashtë mureve, në hapësira publike e private. Mosraportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit. BOLL MA synon të jetë zëri i revoltës, që tenton të sfidojë e dënojë mizogjeninë, racizmin, seksizmin, diskriminimin dhe dhunën në gjitha format e saj”, ka thënë Rrahmani.
Ka shtuar se prej 2273 rasteve të dhunës në familje këtë vit, 1897 prej tyre janë ndaj vajzave dhe grave.
Ndërsa aktivistja tjetër Mimozë Musliu shprehu keqardhje që marshimi nuk u përkrah edhe nga institucionet shtetërore.
“Ky marsh është një dritë në fund të tunelit, sa u përket rasteve të ngacmimit, dhunimit të grave me aftësi të kufizuar. Është për keqardhje që shteti nuk është bashkangjitur, edhe pse ne jemi një kategori e margjinalizuar prapë jemi si të gjithë”, ka deklaruar Musliu.
Drejtoresha e “ArtPolis”, Zana Hoxha, potencoi se shoqëria kosovare anashkalon çështjet delikate që i prekin grupet e margjinalizuara.
“Janë mbledhë për herë të parë në një marsh të tillë që i dedikohet ndaljes së abuzimit të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, sepse në shoqërinë tonë fatkeqësisht nuk flitet fare për abuzimin e këtyre grupeve të shoqërisë…”, është shprehur Hoxha.
Përmes marshimit, aktivistët bënë thirrje për bashkimin e qytetarëve në kauza të përbashkëta.
Thanë se vetëm në këtë mënyrë krijohet barazia gjinore dhe sociale.