Kandidati për kryetar të komunës së Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviq, ka paralajmëruar të mërkurën mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës, por se kjo nuk mund të parashikohet sepse, siç tha ai, pushteti në Prishtinë është i paparashikueshëm.
Jabllanoviq, në emër të Partisë Serbe të Kosovës (PKS), kandidoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e planifikuara për 18 dhjetor në Leposaviq.
Jabllanoviq tha për Radio KiM se nuk ka frikë për sigurinë e tij dhe shtoi se kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jetë “i kujdesshëm” dhe se nuk duhet të dëgjojë “sinjalet dhe mesazhet e dërguara nga mjedisi”.
“Çështja është siguria e ne kandidatëve, e kandidatëve tanë për këshilltarë, e njerëzve që do të jenë pranë kutive të votimit atë ditë, dhe pyetja e madhe është nëse zgjedhjet do të zhvillohen dhe në çfarë atmosfere. Kemi aplikuar vetëm për zgjedhje, nuk mund të ndikojmë ndryshe në procesin zgjedhor. Njerëzit kanë frikë, para së gjithash, nëse do të jenë të sigurtë para zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve," tha ai.
Kryetari i PKS-së beson se qytetarët “nuk kanë dilemë se për kë të votojnë”.
Një ditë pas incidenteve që ndodhën në veri të Kosovës, të mërkurën situata është e qetë.
Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Është raportuar për disa shpërthime atje.