Kryeshefi i Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka treguar se si zyrtarëve të KQZ-së i është pamundësuar puna në komunat veriore të Kosovës.
Ahmetaj ka thënë se zyrtarët janë dërguar me përcjellje policore, ndërsa në Zubin-Potok dyshohet se u hodh në objekt të administratës së Komunës një shok-bombë.
“Në hyrje të objektit të komunëz një zyrtare e Zubin-Potokut ka marrë dokumentet e identifikimit të zyrtarëve të KQZ-së dhe ata më pas janë drejtuar në zyre të komisionit komunal të zgjedhjeve, që ndodhet në ndërtesën e administratës së komunës. Pasi zyrtari ynë ka hyrë në zyre, ka vërejtur se disa nga punonjësit e administratës po largohen me shpejtësi. Pasi u larguan nga ndërtesa u hodh një mjet, që dyshohet se ishte shok-bombë, e më pas u dëgjua alarmi i qytetit”, ka thënë Ahmetaj.
Ai ka treguar se në dalje janë mbledhur turma të njerëzve, ndërsa zyrtari është tërhequr me ndihmën e njësiteve policore.
Ndërsa rreth orës 14:15 është penguar hyrja e zyrtarit të KQZ-së edhe në Mitrovicë të Veriut.
“Ka tentuar ta hapë derën, por dera ka qenë e metaltë. Më pas janë dëgjuar shpërthime e të shtëna, e zyrtari është tërhequr së bashku me zyrtarët policorë”, tha Ahmetaj.
Po ashtu edhe në Leposaviq e Zveçan janë dëgjuar alarmet e janë mbledhur turma të njerëzve.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen dhe se për sulmet duhet fajësuar Qeveria e Serbisë dhe bandat kriminale që i mbështet.
E anëtari i PDK-së në KQZ-së, Ilir Gashi, ka thënë se është rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së.
“Fakti i tërheqjes nga komunat atje tregon se nuk është marrë seriozisht procesi dhe nuk e kanë trajtuar seriozisht sigurinë në veri”, tha Gashi.
E Sami Hamiti nga radhët e LDK-së, ka thënë se ka parë deklaratën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ndërsa ka pyetur se si do të organizohen zgjedhjet në komunat veriore.
Alim Rama, anëtar i Vetëvendosjes në Komision Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se është që t’i dërgohet letër Bashkimit Evropian dhe KFOR-it në emër të KQZ-së që t’i kërkohet Serbisë të mos ndërhyjë në zgjedhje.
E Sami Hamiti, anëtar i LDK-së në KQZ ka thënë se institucionet e KQZ-së e kanë neglizhuar KQZ-në.
Kurteshi kërkon që KQZ-ja t’i dërgojë letër BE-së për t’ia tërhequr vërejtjen Serbisë
Sami Kurteshi, anëtar i Vetëvendosjes në KQZ, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës duhet të mbahen më 18 dhjetor dhe 25 dhjetor.
Ai ka thënë se KQZ-ja e ka obligim këtë dhe se Policia duhet garantojë mbrojtjen e zyrtarëve të KQZ-së.
Ai ka thënë se KQZ-ja si institucion duhet t’i dërgojë letër Bashkimit Evropian që t’ia tërheqë vërejtjen Serbisë dhe t’i thotë që “t’i largojë trupat e armatosura, grupet e armatosura e paramilitare nga veriu”.
Edhe Arianit Elshani nga PDK-ja ka thënë se zgjedhjet duhet mbajtur, vetëm se duhet pasur siguri.