2 perditesime
16:04

Bislimi paralajmëron marrëveshjen me Serbinë për të zhdukurit me forcë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kanë pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.

Në raportimin të martën para Komisionit për punë të jashtme, Bislimi tha se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i ka dorëzuar draftin e ri kryeministrit Albin Kurti, mirëpo nuk dha detaje se çka përmban i njëjti.

Para deputetëve, kryenegociatori për dialogun me Serbinë, paralajmëroi se në janar mund të arrihet marrëveshja me Serbinë për të zhdukurit me forcë gjatë luftës në Kosovë. Ndërkohë, theksoi nevojën që diskutimet për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të jetë të afatizuara deri në mars të vitit 2023.

“Ka dakordim që mos të diskutohet elementet përbërëse të planit. Po është dorëzuar sot drafti i reviduar dhe i është thënë zotëri Kurtit në orën 10:00”, tha ai.

Sipas tij, diskutimet për arritjen e ujdisë finale nuk duhet të zgjasin pa kufij, andaj kanë insistuar që në kuadër të dakordimit të 23 nëntorit për targa të përfshihet edhe ky element.

“Diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse të jenë të kufizuara në kohë që mos të zgjasin pa kufij. Mendoj se me dakordimin e datës 23 nëntor ne kemi arritur këtë, pasi si pjesë e marrëveshjes është e paraparë që bisedimet, siç e thatë ju franko-gjerman edhe pse BE-ja insiston që është propozim i BE-së të kufizohen deri në fund të marsit. Në fakt në tekst nuk figuron data mars, por figuron takimi për grupin special për normalizim, pastaj ne kemi pranuar këtë formulim vetëm pas një shkrese të zotëri Lajçak, kur e cakton takimin për normalizim në për fundin e marsit 2023. Ne kemi marrë sigurimin se nuk do të zhvendoset ky afat dhe pastaj kemi pranuar atë formulim në tekst”, shtoi Bislimi.

Krahas kësaj, ai tha se pritjet janë që marrëveshja për të zhdukurit me forcë të nënshkruhet në janar nga Kurti dhe Vuçiq.

Bislimi tha se kanë pranuar një draft të ri për këtë ujdi, pasi është ndryshuar një paragraf dhe se do të shqyrtojnë atë.

“Pritjet janë që dokumenti të nënshkruhet në takimin e parë mes krerëve të shtetit që mbahet në janar. Nuk është harruar në asnjë moment dhe është diskutuar në vazhdimësi. Draftin nuk e kam këtu që më është dhënë mbrëmë nga Lajcak, të cilin pastaj e trajton Andin Hoti bashkë me ekipin e këshilltarëve. Nëse ata mendojnë se ne jemi dakord me atë formulim, ka të bëjë me vetëm një pjesë të një paragrafi të ndryshuar, të nënshkruhet në takimin e parë mes tyre”, theksoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Pas pyetjeve të deputetëve për largimin e serbëve në veri nga institucionet, Bislimi paraqiti, siç tha dështimet ndër vite në atë pjesë.

Me theks të veçantë, ai përmendi letrën e ish kryeministrit Hashim Thaçi dërguar NATO-s që sipas tij, pranon që veri të merr trajtim të veçantë sa i përket sigurisë.

“Është thënë që me këto masat e fundit, pas largimit të serbëve është rrezikuar sovraniteti, normalizimi që ne kemi arritur në komunat në veri të Kosovës, Por unë desha veç për të listuar se si është dukur ky sovranitet i shtrirë në veri të Kosovës në praktik. Ish-kryeministri Thaçi, më datën 19 prill 2013, para nënshkrimit të marrëveshjes ka pranuar që veriu të merr trajtim të veçantë sa i përket sigurisë, duke u dakorduar që Forcat Sigurisë së Kosovës mos të shkojnë në veri të vendit. Është letra e dërguar pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim me kërkesë të Serbisë. Në veri të vendit, si pasojë e normalizimit që kemi arritur ende kemi përdorim ilegal të valutës së një shteti armik që është toleruar që atëherë. Në veri të Kosovës, qytetarët ende vazhdojnë të mos i paguajnë tatimet lokale dhe qendrore, në veri për taksat doganore që janë grumbulluar është dakorduar që të gjitha të përdoren vetëm për komunat veriore”, tha ai.

Atij i reagoi deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili i quajti këto të pavërteta.

“Zëvendëskryeministër, faleminderit, meqenëse nuk është Hashim Thaçi këtu që raportove në emër të tij. Unë kam një mendim timin që raportimet e tilla qojnë në dezinformim të opinionit, pasi asnjë nga këto nuk qëndrojnë. Gjithçka është vendosur dhe besoj fort në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjet në Bruksel. Andaj marrëveshjet e parealizuara nga palët nuk është mirë për t’ia faturuar faturuar Hashim Thaçit. Nuk është mirë prej teje dhe nuk është mirë as ne dhe as opinioni me dëgjuar këto gjëra”, theksoi Haliti.

Në debat u përfshi edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

“Përveç se keni deklaruar se do t’i sillni gjitha marrëveshjet dhe do t’i zhbëni, por kjo po shohim se nuk po ndodh. Mirëpo edhe ato marrëveshje që janë arritur nuk po arrini t’i mirëmbani”, tha ajo.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi tha se ish-presidentin Thaçi e përmendi vetëm në letër-shkëmbimin me NATO-n për FSK-në dhe jo për çështjet tjera në veri.

Pas diskutimeve të para, kryetari i komisionit, Haki Abazi e mbylli mbledhjen për media dhe e njëjta vazhdoi pa praninë e tyre./KSP

14:35

Bislimi s’pranon të japë detaje para mediave për planin franko-gjerman, mbyllet komisioni

Komisioni për Diasporë dhe Politikë të Jashtme e ka mbyllur për media takimin në të cilin po raporton kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, lidhur me planin franko-gjerman. Mbylljen e ka bërë kryetari i Komisionit, Haki Abazi, duke marrë për bazë deklaratat e vazhdueshme të Bislimit se kur flitet për dialogun nuk mund të shpalosë gjithçka në prani të kamerave.

“Ka dakordim të mos diskutohen elementet përbërëse të planit. Kur të më thirrni për të raportuar është mirë ta kuptoni se jemi duke folur jo për tymtarin e KEK-ut, por për dialogun”, ka thënë Bislimi derisa vetëm ka konfirmuar se kryeministri Kurti të martën në mëngjes e ka pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman.

Kryetari i Komisionit ka reaguar duke kërkuar nga Bislimi që të përgjigjet në pyetjet që i bëhen, ndërkaq kur mendon se seanca duhet të mbahet e mbyllur të tregojë.

“Përgjigju aty ku mundesh, komentet lëri, në momentin që mendon se mund të shkojmë me seancë të mbyllur rekomandon dhe shkojmë me seancë të mbyllur”, ka thënë Abazi.

14:16

Bislimi: E pranuam versionin e ri të planit franko-gjerman, duhet të mbahet konfidencial

Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se Kosova të martën e ka pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman mirëpo ka shtuar se ka një dakordim që ai të mbahet konfidencial.

Bislimi ka thënë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka dorëzuar të martën tek kryeministri Albin Kurti versionin e fundit të planit.

Bislimi është pyetur të martën gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, se përse nuk po bëhet publik plani.

“Diskutimi për planin franko-gjerman ka qenë tete-a-tete mes ekipit dhe z.Kurti, mes ekipit dhe z.Vuçiq. Dakordimi nuk ka qenë që diskutimi për planin franko-gjerman të jetë i mbyllur, por përmbajtja e tekstit të mbahet konfidenciale. Nuk është dakordimi i tipit si po ia bëjmë. Na është thënë ose e diskutojmë planin me këto kondita ose nuk e diskutojmë dhe ju jeni pala që nuk dëshironi të përfshiheni”, ka thënë Bislimi.

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti i ka ftuar liderët e opozitës që ta shohin përmbajtjen e planit, por që sipas tij vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur takimit.

“Dakordimi është që të mos ketë diskutim publik dhe hapje publike. Kurti i ka ftuar liderët e subjekteve politike për ta ndarë me ta përmbajtjen e dokumentit, kanë ardhur vetëm Haradinaj dhe Gjini e kanë parë dokumentin dhe e kanë lexuar. Këtë mundësi e kanë pasur secili prej liderëve politikë në Kuvend. Nuk ka pasur gatishmëri”, ka thënë Bislimi.