Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se Kosova të martën e ka pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman mirëpo ka shtuar se ka një dakordim që ai të mbahet konfidencial.
Bislimi ka thënë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka dorëzuar të martën tek kryeministri Albin Kurti versionin e fundit të planit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBislimi është pyetur të martën gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, se përse nuk po bëhet publik plani.
“Diskutimi për planin franko-gjerman ka qenë tete-a-tete mes ekipit dhe z.Kurti, mes ekipit dhe z.Vuçiq. Dakordimi nuk ka qenë që diskutimi për planin franko-gjerman të jetë i mbyllur, por përmbajtja e tekstit të mbahet konfidenciale. Nuk është dakordimi i tipit si po ia bëjmë. Na është thënë ose e diskutojmë planin me këto kondita ose nuk e diskutojmë dhe ju jeni pala që nuk dëshironi të përfshiheni”, ka thënë Bislimi.
Ai ka shtuar se kryeministri Kurti i ka ftuar liderët e opozitës që ta shohin përmbajtjen e planit, por që sipas tij vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur takimit.
“Dakordimi është që të mos ketë diskutim publik dhe hapje publike. Kurti i ka ftuar liderët e subjekteve politike për ta ndarë me ta përmbajtjen e dokumentit, kanë ardhur vetëm Haradinaj dhe Gjini e kanë parë dokumentin dhe e kanë lexuar. Këtë mundësi e kanë pasur secili prej liderëve politikë në Kuvend. Nuk ka pasur gatishmëri”, ka thënë Bislimi.