Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar të martën se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Sipas njoftimit, afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 9 dhjetor 2022.
“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë. Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së ëëë.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Zgjedhjet për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit do të mbahen më 25 dhjetor.
Ndërkaq, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok do të mbahen më 18 dhjetor.
Veriu duhet t'i zgjedhë kryetarët e komunave dhe kuvendet komunale, pasi serbët u tërhoqën nga institucionet, me arsyetimin se Qeveria e Kosovës nuk e pezulloi vendimin për targat.