Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër, Orhan Spahiu, ka thënë se është dorëzuar një ankesë ndaj gazetës zvicerane “NZZ am Sonntag” në lidhje me një shkrim që ajo kishte publikuar të dielën, e në të cilin e sulmoi mesfushorin kosovar Granit Xhaka dhe spekuloi se heroi kombëtar Adem Jashari dhe familja e tij janë vrarë nga UÇK-ja.
“Ne kemi reaguar qysh para tri ditëve, kemi reaguar edhe për të tjera tema, si ofendimet nga ana e Serbisë, por sot kemi reaguar për çështjen e tentimit të deformimit të historisë apo fakteve nga gazeta në fjalë dhe gazetari. Po e përcjellim gjendjen, por ankesën e parë e kemi deponuar, po presim tash se çfarë vjen”, ka thënë Spahiu në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka treguar se të premten, pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë me rezultatin 3:2, rrugët në Zvicër ishin të mbushura.
Spahiu ka thëtë se ishte festë e përbashkët e shqiptarëve e zviceranëve, e kishte flamuj kombëtar dhe të Zvicrës.
“Ne shqiptarët kishim dy herë arsye më tepër për të festuar, për shkak të lojërave u bën para ndeshjes nga pala serbe, por edhe gjithë tensioneve gjatë ndeshjes”, ka theksuar Spahiu.
Ai ka thënë se gazetat në Zvicër, janë marrë shumë me sjelljet e Xhakës, por nuk janë marrë me sjelljet e palës serbe dhe fyerjet e shumta që kishte nga kjo palë.