Aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirishahe Syla, ka deklaruar se vrasja e grave është akt final i dhunës sistematike që gratë e përjetojnë. Ajo ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se rregullimi i shoqërisë nëpërmjet kodeve kanunore ka shkaktuar dhunë masive në Kosovë, e siç u shpreh ajo, këto kode, e kanë normalizuar dhunën.
“Vrasja është akti final i dhunës sistematike që përjetojnë gratë. Vrasja nuk është formë e izoluar e krimit, ka një strukturë dhe një histori që mundëson të vijë deri në atë nivel. Nëse tentojmë ta kuptojmë problemin e rritjes së dhunës, s’mund ta bëjmë nëse e shohim në vitet e fundit. Duhet të shihet nga një sferë më e gjerë nga historia. Një shoqëri e tillë ka krijuar ambient të përshtatshëm që të ketë dhunë. Pozita e gruas është caktuar nëpërmjet rregullave kanunore. Normat kanunore janë shtypëse ndaj një grupi të madh të njerëzve, duke jetuar me ato norma, është normalizuar dhuna. Kemi tentuar të bëjmë një ndryshim, duke tentuar t’i injorojmë rregullat e tjera”, deklaroi Syla.
Sipas aktivistes, traditat kosovare kanë normalizuar privilegjin e burrave, duke nisur nga familja deri te jeta publike. Syla ka thënë se në Kosovë, pos dhunës fizike, ka ekzistuar dhe ekziston dhuna ekonomike, seksuale, emocionale dhe fizike.
“Të gjitha këto kanë qenë të pranishme dhe janë rregulluar me norma të caktuara. Të njëjtit trashëgues të asaj tradite, mendojnë se kurrë s’ka pasur dhunë. Njerëzit që kanë përjetuar dhunë dhe ka kjo dhunë mbetur e padukshme...Kur këto bëhen problematike, e shohim se paska dhunë më shumë. Dhuna po flitet dhe po dënohet me ligje, po adresohet problemi i dhunës në instanca. Po e shohim se njerëzit kanë filluar ta ruajnë atë pozitën e tyre, nëpërmjet dhunës dhe formave më makabre”, ka shtuar ajo.
Aktivistja është shprehur se edhe familjarët e dhunuesve janë të përfshirë në disa raste të dhunës.
“Në Kosovë, dhuna ndodh e burrave qoftë ndaj grave, burrave të tjerë apo ndaj fëmijëve. Ata burra jetojnë në shtëpitë që i kanë pronë të tyre. Brenda një sistemi të tillë s’ka përputhje. Është e pamundur të largohet dhunuesi nga shtëpia e tij. Edhe familja e dhunuesit është e përfshirë në dhunën sistematike. Këto ligje të mira në letra, por nuk reflektohen e as s’mund të zbatohen”, ka deklaruar Syla.