Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, deklaroi se kontributi i kryeministrit Albin Kurti, për çështjen e liberalizimit të vizave, nis dhe përfundon me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Ajo shkroi në Facebook, pasi kryeministri Kurti bëri të ditur vendimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian, që t’i japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Kurti u shpreh se vendimi i BE-së erdhi si “njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimit e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit”.
Sipas nënkryetares së PDK-së, Kurti gënjeu në njoftimin e tij, pasi siç u shpreh ajo, kryeministri i justifikoi vonesat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.
"Kryeministri në një status të gjatë në Facebook duke bërë përpjekje me ia dhanë vetes meritat për liberalizimin e vizave (në vitin 2024), paska thënë të pavërteta të mëdha, duke justifikuar kështu edhe vonesat e BE për liberalizimin e vizave. Kryeministër, kriteret Kosova i ka përmbushur moti. Siç shpresoja ta kishit kuptuar së paku javën e kaluar kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u hoq nga agjenda, vonesat për Kosovën, së paku nga viti 2018 janë të pajustifikueshme dhe të natyrës politike. E sa për kontributin tuaj në këtë proces, ai fillon dhe përfundon me gazin lotsjellës në Parlament”, shkroi ajo.