Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se lajmi për liberalizimin e vizave, ndonëse i vonuar, është i mirë.
Sipas saj, kontributi i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i liderit të saj Albin Kurtit në këtë proces “është gazi lotsjellës në Kuvend dhe dhuna verbale e fizike, e cila na vonoi me vite”.
"Sa për freskim të kujtesës, LVV as MSA-në, me të cilën sot mburren, nuk e kanë votuar. E sa për sukseset të cilat vendet tjera mund t’i shohin vetëm në ëndërr, më së miri flasin konkluzat e B.E; aplikacioni i Kosovës për statusin e vendit kandidat mbetet i patrajtuar, dhe saksionet vazhdojnë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ka reaguar Çitakut, duke i thënë se është dashur ardhja e kësaj Qeverie që ky proces të zhbllokohet.
Sipas tij, Komisioni Evropian, në shkurt të vitit 2012 pati nisur procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën duke shtuar se vetëm pas 6 vitesh, në 2018, Komisioni Evropian konfirmoi në raportin e tij se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Kadiu ka shkruar se me këto kritere të përmbushura, nuk ndodhi asgjë. Qytetarët vijuan të mbeten të izoluar.
“U desh ardhja e kësaj qeverie, që ky proces të zhbllokohet e të ketë epilog. Vendimi final për liberalizimin e vizave, u nënshkrua me 19 prill të këtij viti. Znj. Çitaku, urime edhe për ju liberalizimin e vizave, të arritur më në fund për Kosovën, nga Qeveria Kurti. Rikujtojmë që liberalizimi i vizave është për qëndrime afatshkurtra, jo për qëllime studimi apo punësimi. Më shumë informata, mund të gjeni në webfaqen e Integrimit Evropian të Kosovës dhe në rrjetet sociale. Dikush do të duhej t'i gëzohej liberalizimit të vizave e jo sanksioneve ndaj Kosovës, të cilat janë si rezultat i problemeve në dialog, të lëna nga këta me nënshkrime shumë dorëshlirë në Bruksel në të kaluarën. Ndërkohë MSA-ja që ju e doni fort, zbatimin më të madh po e njeh gjatë kësaj qeverisjeje. Anëtarësimin në BE që ju e doni fort, po për të cilin mbi një dekadë në pushtet nuk aplikuat për anëtarësim, hapin e parë drejt familjes evropiane, e ka hedhur kjo qeveri, ka shkruar ai.