Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se është i gëzuar që propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës dhe Serbisë po arrin sukses në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Steinmeier i bëri këto komente në Shkup, ku të martën qëndroi për vizitë zyrtare.
Kreu i shtetit gjerman tha se vizita e tij në Shkup është në funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier theksoi se normalizimi sa më i shpejtë i tyre është në interesin e BE-së.
“... për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, ka thënë presidenti gjerman, raporton REL.
Krerët e Kosovës dhe Serbisë e kanë pranuar ekzistencën e propozimit franko-gjerman, të cilëve iu prezantua për herë të parë në shtator.