Arbëri

FKAK: Tronditës keqtrajtimi i 3-vjeçares, logopedi mund të ketë abuzuar edhe fëmijë të tjerë

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, ka reaguar pas raportimeve për keqtrajtimin e pacientes 3-vjeçare me autizëm në Gjilan, nga ushtruesi i detyrës së shefit të defektologjisë në Klinikën e ORL-së në QKUK, Iljasa Fazliu.

“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja e djeshme e raportuar në mediat tona ku logopedi Iljasa Fazliu nga Gjilani ka abuzuar psikikisht dhe emocionalisht në ordinancën e tij ndaj fëmijës 5-vjeçar të diagnostikuar me autizëm”, thuhet në reagimin e këtij Forumi.

Të dielën është raportuar se vajza që dyshohet se është keqtrajtuar nga logopedi Fazliu, është 5-vjeçare, por Gjykata Themelore e Gjilanit, në vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Fazliu, ka bërë të ditur se ajo është 3-vjeçare.

Sipas tyre, ky rast nge dyshime se Fazliu mund të ketë abuzuar edhe më fëmijë të tjerë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me atë çfarë ka ndodhur me fëmijën, ku shahet dhe ofendohet nga logopedi Fazliu dhe stafi i tij. Gjuha, sjellja dhe abuzimi verbal ndaj vogëlushes na lë të dyshojmë se i njëjti logoped mund të ketë abuzuar edhe me fëmijë të tjerë të cilët prindërit apo kujdestarët ligjorë i kanë dërguar në mjekim te logopedi Fazliu dhe të stafi i kësaj ordinance”, thuhet në reagim.

Ky forum ka kërkuar nga institucionet që në mënyrë urgjente ta trajtojnë këtë rast dhe të hetojnë rrënjësisht se çfarë ka ndodhur me 5-vjeçaren, por edhe me të gjithë pacientët e tjerë e në veçanti ata me aftësi të kufizuara.

“Të drejtat e fëmijëve dhe në mënyrë të veçantë të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet t’u garantohet zhvillimi personal, si mirëqenia, mbrojtja nga lëndimet dhe e drejta për mbrojtje. Në këtë rast institucionet tona nuk kanë arritur të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës me autizëm. Ne jemi shumë të brengosur për torturat psikike dhe emocionale që i janë shkaktuar 5-vjeçares nga logopedi dhe pasojat që mund ta rëndojnë gjendjen e saj dhe të familjarëve”, thuhet në reagim.

Sipas tyre shteti është përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet.

“Çdo fëmijë me aftësi të kufizuar ka të drejtën për kujdes shëndetësor dhe arsim të veçantë, duhet të ndihmohet për të qenë i pavarur dhe për të marrë pjesë aktive në shoqëri, por me këto abuzime ndaj fëmijëve tanë vetëm sa po rritet diskriminimi dhe frika”, thuhet në reagim.

Fazliu është arrestuar të shtunën nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Janë arrestuar edhe dy familjarë të 5-vjeçares, të cilët e kishin sulmuar Fazliun, pasi dyshemeve për keqtrajtimin e pacientes me autizëm.