Mjetet e disponueshme për luftimin e korrupsionit nuk shfrytëzohen mjaftueshëm, prandaj edhe shumë raste të korrupsionit të profilit të lartë vazhdojnë të kenë ngecje, thuhet në Raportin e tretë publik për Monitorimin e Drejtësisë, i cili e përfshin periudhën nëntor 2021 – shtator 2022 i bërë nga Misioni i EULEX-it në Kosovë.
Ky raport po ashtu ka konkluduar se është shënuar progres në seancat dëgjimore produktive.
Shefi i Misionit të EULEX-it, Lars Gunner Wigemark u shpreh se për herë të parë ky raport përfshinë krimet kundër gazetarëve dhe drejtësinë për të miturit. Ai ka thënë se disa nga rekomandimet e dala nga raportet e Misionit po zbatohen nga gjyqësori.
“Për herë të parë ky raport mbulon edhe dy fusha të reja që janë: krimet kundër gazetarëve dhe drejtësinë për të miturit. Nën titullin ‘lufta kundër korrupsionit’ raporti trajton gjithashtu korrupsionin fatkeqësisht të përhapur në sistemin e kujdesit shëndetësor. Në përgjithësi ky raport i ka disa zhvillime inkurajuese dhe misioni është i lumtur që sheh se të paktën një pjesë e rekomandimeve nga raportet e mëparshme janë duke u rekomanduar. Shembull shkalla e seancave joproduktive në mesin e atyre që janë monitoruar nga Misioni ka rënë dhe disa raste të profilit të lartë të monitoruara janë duke u ndjekur në mënyrë më aktive. Pavarësisht, prej këtyre përmirësimeve raporti konstaton se mjetet e disponueshme për luftimin e korrupsionit nuk shfrytëzohen mjaftueshëm shumë raste të korrupsionit të profilit të lartë vazhdojnë të kenë ngecje dhe progresi në ndjekjen penale të krimeve të luftës kufizohet me një numër të vogël të rasteve. Për më tepër, drejtësia në rastet e krimeve kundër gazetarëve dhe dhunën në baza gjinore është ndonjëherë jokonsistente”, ka theksuar Wigemark.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova nuk ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë. Haxhiu ka deklaruar se shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do të themelojë Komisionin ad-hoc i cili do të ketë përgjegjësi për përmbylljen e reformës në drejtësi e që është procesi i vettingut. Ministrja po ashtu ka thënë se dhuna ndaj gazetarëve është e patolerueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet me seriozitet të plotë të institucioneve të drejtësisë.
“Inkurajoj institucionet përgjegjëse, prokurorinë dhe gjykatat, por edhe policinë për më shumë rezultate nga se të arriturat lënë ende shumë për të dëshiruar. MD-ja tashmë ka nisur reformat në sistemin e drejtësisë dhe me vjen shumë mirë që Kuvendi i Kosovës shumë shpejt do ta themelojë komisionin ad-hoc i cili do të ketë përgjegjësinë e përmbylljes së reformës në drejtësi, pra vetingun në sistemin e drejtësisë sikurse edhe kemi fuqizuar edhe paketën ligjore kundër korrupsionit. Raporti është gjithsesi i vlefshëm për të ritheksuar gjendjen e rënduar të sistemit të drejtësisë respektivisht të sektorit prokurorial por edhe atij gjyqësor. Sa i përket luftës në baza gjinore raporti duket pozitiv në kuptim e gjetjes faktike që ka një rritje konstante të raportimit të rasteve të dhunës në familje në mes 20-22% krahasuar me 1 apo 2 vite më parë. Në këtë drejtim përmes politikave dhe veprimeve konkrete si MD-ja po përpiqemi të punojmë në drejtim të sensibilizimit të qytetarëve kundër dhunës dhe në inkurajim të viktimave për të raportuar dhunën. Nuk mund më të tejkalojmë ose të injorojmë situata ku Policia, prokuroria, gjykatat nuk i mbrojnë viktimat. Në të kaluarën kemi pasur raste që këto të fundit nuk i kanë kryer punët e tyre dhe nuk janë mes nesh shumë viktima të dhunës në familje”, ka theksuar ajo.
Shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorim të rasteve, Hubert van Eck Koster ka thënë se ka një trend në rritje të seancave produktive. Koster është shprehur se gjetje tjetër pozitive është edhe trajtimi i rasteve të profilit të lartë për rastet e ish-EULEX-it, por që aktgjykimet e këtyre rasteve shumica ishte shfajësuese apo liruese.
Raporti ka konkluduar po ashtu se dënimet plotësuese janë elemente që anashkalohen në zinxhirin e drejtësisë penale. Koster ka thënë se bazuar në raport Njësia Speciale për hetime në kuadër të Policisë së Kosovës ende nuk ka bazë ligjore.
Misioni i EULEX-it për herët të tretë ka publikuar një raport të tillë për të pasqyruar gjetjet dhe rekomandimet për drejtësinë./KP