Arbëri

EULEX-i me vërejtje për drejtësinë, kërkon trajtimin e rasteve të profilit të lartë

Mospërparimi në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, seancat joproduktive e përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nga Gjykatat ishin disa nga gjetjet e Raportit për Monitorimin e Drejtësisë në Kosovë, i përgatitur nga EULEX-i. Në prezantimin e tij, EULEX-i i rekomandoi gjyqësorit, që mes të tjerash, të mos vonohet në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, në mënyrë që të shmanget parashkrimi i tyre

Mungesa e trajtimit të rasteve të profilit të lartë, si “Drenica”, “Toka 4”, “Olympus II” dhe “Fahredin Gashi” është një ndër ngecjet më të mëdha të sistemit të drejtësisë në Kosovë, e evidentuar nga EULEX-i.

Në një Raport për Monitorimin e Drejtësisë, i cili është publikuar të enjten, është cekur se përparim nuk ka pasur as në trajtimin e rasteve të tjera të profilit të lartë, si “Medicus”, “Naser Kelmendi”, “Touareg”, tri rastet “Vukotiq” dhe të tjera. Edhe në rastet që janë trajtuar, sipas raportit, të akuzuarit ose janë liruar nga akuzat ose vendimet e gjykatave kanë qenë të lehta.

Ndërkaq si mangësi të tjera janë përmendur seancat joproduktive, përdorimi dhe kohëzgjatja e tepruar e masës së paraburgimit dhe mungesa e institucioneve shtetërore si palë të dëmtuara në procese gjyqësore.

Në prezantimin e Raportit për Monitorimin e Drejtësisë, Lars-Gunnar Wigemark, shefi i misionit të EULEX-it, ka kritikuar përdorimin e masës së paraburgimit, të cilën ai e ka quajtur si të tepruar.

Wigemark ka theksuar se paraburgimi shpeshherë aplikohet sistematikisht dhe pa argumentet e duhura.

Sipas gjetjeve të raportit, Gjykatat e Kosovës kanë mbajtur persona në paraburgim deri në 12 vjet pa një aktgjykim përfundimtar. Kjo gjë, ka thënë Wigemark, përveç për mungesën e efikasitetit të gjyqësorit, flet edhe për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Misioni ka identifikuar së paku 37 raste, në të cilat të dyshuarit janë mbajtur dhe vazhdojnë të mbahen si të paraburgosur prej dy deri në 12 vjet. 12 vjet pa vendim përfundimtar, 12 vjet pezull. Kjo është pasojë e drejtpërdrejt e rigjykimeve”, ka theksuar ai.

Shefi i EULEX-it ka kritikuar edhe tentativën e Qeverisë së udhëhequr nga ish-kryeministri, Avdullah Hoti, për shuarjen e Taskforcës antikorrupsion. Wigemark ka theksuar se shuarjen e saj e ka penguar edhe reagimi i koordinuar mirë i bashkësisë ndërkombëtare. Ai ndërkaq ka kërkuar që kësaj Taskforce t’i jepet mbështetja e duhur, si në kuptimin e stafit, ashtu edhe me mjete financiare.

Ndërsa shefi i Njësisë së Monitorimit të rasteve në EULEX, Hubert van Eck Koster, i ka kërkuar gjyqësorit që t’i trajtojë pa vonesë rastet e profilit të lartë, ashtu që lëndët të mos parashkruhen.

“Për një numër të madh të rasteve të profilit të lartë, të trajtuara nga EULEX-i, si “Drenica” e “Toka 4”, asnjë seancë e vetme nuk është mbajtur që prej dorëzimit të tyre nga EULEX-i më 2018. Misioni rekomandon që të mos vonohet gjykimi i rasteve të profilit të lartë, për të shmangur përshtypjen se gjyqësori i Kosovës nuk është i gatshëm të gjykojë raste të tilla”, ka thënë Eck Koster.

Si profesional dhe të rëndësishëm e ka quajtur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, monitorimin e ndërmarrë nga një instrument i jashtëm në sistemin e drejtësisë. Vetë ajo ka numëruar disa nga problemet e drejtësisë, teksa si më të madhin e ka radhitur cenueshmërinë e sistemit nga akterët e jashtëm.

“Ende nuk kemi arritur që të krijojmë një sistem të drejtësisë që nuk ndikohet as nga individët e as nga grupet e jashtme. Dhe, nuk po flas këtu për të gjithë gjyqtarët, as për të gjithë prokurorët e as për të gjithë policët. Po flas për individë brenda sistemit, të cilët ende duket që ndikohen nga jashtë”, ka thënë Haxhiu.

Raporti i EULEX-it cek se që nga marsi i vitit të kaluar e deri në fund të tetorit të sivjetmë ka pasur shumë seanca joproduktive. Përkthyer në shifra, nga 378 seancat e monitoruara, 113 apo 30 për qind e tyre ishin joproduktive.

Nga kjo shifër, 37 kanë qenë seanca për raste të profilit të lartë.

EULEX-i ka rekomanduar po ashtu që gjyqtarët të përfshijnë masa ndëshkuese ndaj palëve që mungojnë pa arsye, t’u jepet përparësi rasteve të profilit të lartë dhe t’i shmangë vonesat e panevojshme procedurale.

Një ndër gjetjet është edhe mungesa në seanca gjyqësore të institucioneve kosovare si palë të dëmtuara. Në këtë aspekt, shefi i Njësisë së Monitorimit të rasteve ka përmendur rastin e “Veteranëve”, kur Prokuroria e ka vlerësuar dëmin e shkaktuar në 68 milionë euro.

Në raport kritikohet edhe regjistrimi i seancave gjyqësore me shkrim dhe jo me audio dhe videoxhirim. Ndonëse në disa raste gjyqtarët e kanë arsyetuar këtë me mungesë të pajisjeve teknike, sipas EULEX-it, një gjë e tillë shkakton një sërë problemesh, si shtyrjen e seancave shkaku i përgatitjes së procesverbaleve, zhvendosja e përqendrimit nga aspektet thelbësore të seancës dhe dëmtimi i cilësisë së dëshmive.