Arbëri

EULEX-i prezanton raportin e monitorimit në drejtësi

EULEX-i ka bërë prezantimin e Raportit të tij të dytë publik të Monitorimit Sistemik dhe Tematik në Drejtësi me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Lars-Gunnar Wigemark, shefi i Misionit EULEX-it tha se që nga fillimi i vitit 2019 EULEX-i ka përgatitur 5 raporte.

“Tre të parat janë ndarë me KGJK-në, PKP-në e MD-në. Në tetor të vitit të kaluar EULEX-i ka prezantuar raportin e parë publik për monitorimin e policisë, prokurorisë e gjyqësorit. Duke pasur parasysh reagimet pozitive për atë raport, sot po e vazhdojmë punën e vlefshme për këtë çështje”, tha ai.

Sipas tij, EULEX-i nuk mund të ndërhyjë direkt në procedurat gjyqësore, por mund të ofrojë rekomandime.

“Monitorimi mund të funksionojë dhe të japë rezultat vetëm nëse ka bashkëpunim. Për shkak të këtij bashkëpunimi deri më tani kjo karakteristikë e funksionimit të fuqishëm është duke shkuar mirë. Monitorimi e përfshin tërë zinxhirin e gjyqësisë. Ne monitorojmë edhe shërbimet korrektuese. Monitorimi i drejtësisë i bërë nga EULEX-i bëhet në çështjet sistemike dhe tematike. Kemi ekspertë të dedikuar që analizojnë fusha tematike, korrupsionin, krimet e luftës, dhunën në baza gjinore”, shtoi shefi i EULEX-it.

Brenga e madhe, kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit

Wigemark tha se taskforca kundërkorrupsion e Policisë së Kosovës ka qenë e ballafaquar me një kërcënim serioz që të zhbëhej në kohën kur u krijua nga ministria, ndërsa misioni kishte rekomanduar të kundërtën.

“Korrupsioni vazhdon të mbizotërojë jo vetëm në Kosovë. Vendimi i Qeverisë në atë kohë ka rezultuar me një reagim të koordinuar mirë nga bashkësia ndërkombëtare që u sigurua që kjo taskforcë të vazhdonte të funksionojë. Një prej brengave të mëdha në kuptim të të drejtave të njeriut në këtë raport është kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit. Ka ndodhur që njerëzit janë mbajtur deri në 12 vite pezull. Kjo është pasojë e rigjykimeve”, tha ai.

Raporti i sotëm synon që të bëhet pjesë e debatit se si të përmirësohet sundimi i ligjit në Kosovë.

“Rekomandimet që i bëjmë nuk janë onligative por janë reale dhe mund të kenë efekte pozitive nëse ka gatishmëri dhe vullnet për t’i realizuar ato”, pohoi Wigemark.

Ndërkohë, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, tha se është e përkushtuar ta shtyjë përpara agjendën qeveritare në sundimin e ligjit.

Sipas saj, qëllimi i Qeverisë është drejtësia e pavarur e paanshme, efikase dhe funksionale.

Qytetarët duhet të presin minimum 6 vite për adresimin e lëndëve

“Përveç kësaj, ne jemi duke punuar shumë për adresimin e krimeve të luftës. Kemi shtuar kapacitetet ne Prokurorinë Speciale për krimet e luftës ndërsa jemi duke punuar në dokumentimin e krimeve të luftës me mekanizëm të veçantë. Prioritet është adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe në baza gjinore dhe për këtë nuk duhet të angazhohemi vetëm në 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës. Ne i kemi bërë të rregullta takimet ndërministrore për këtë çështje”, tha ajo.

Haxhiu tha se takimet me qytetarë janë të shumta, ndërsa potencoi edhe problemin e stërzgjatjes së lëndëve

“Qytetarët duhet të presin minimum 6 vite për adresimin e lëndëve në sistemin e drejtësisë. Jam jashtëzakonisht e interesuar që të bashkëpunoj me institucionet e drejtësisë për të mirën e qytetarëve. Unë kam zgjatur dorën e bashkëpunimit dhe pres të njëjtën ta bëjnë edhe institucionet e drejtësisë. Konsideroj që ky raport i EELEX-it është profesional dhe i nevojshëm edhe për sistemin e drejtësisë”, shtoi ajo.