Arbëri

Bislimi mohon se është arritur marrëveshja për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mohuar se në takimin e fundit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e targave.

Bislimi në një tryezë diskutimi të organizuar nga BE-ja në Prishtinë të mërkurën, ka thënë se në takimin e djeshëm në Bruksel ishte vetëm ai dhe Lajçaku, porse nuk pati ndonjë marrëveshje. 

“Në takimin në Bruksel kemi qenë vetëm unë dhe Lajçak. Petkoviqi nuk ka qenë fare në Bruksel”, ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri theksoi se në takim janë diskutuar elemente që kanë të bëjnë me mundësinë e daljes nga kriza. 

Çështja e kthimit të targave ilegale në RKS ka qenë shkaku i tensionit të marrëdhënieve mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë ditëve të fundit. Teksa ndërkombëtarët i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për ta shtyrë vendimin, ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti vendosi për përshkallëzim të sanksioneve. Pas kësaj, serbët u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri.