Arbëri

Tahiri: Qeveritë e kaluara shtrinë sovranitetin në veri, kjo qeveri rrezikon ta kthejë në protektorat

Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka vlerësuar se shtimi i trupave të EULEX-it në veri të Kosovës, rrezikon ta kthejë atë pjesë të Kosovës në protektorat.

Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Tahiri ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të jap shpjegime se si u rrit prezenca e EULEX-it në veri.

“Shtimi i prezencës së EULEX-it në veri i shërben qetësisë dhe sigurisë, mirëpo, kjo rrezikon ta kthej në protektorat veriun, të cilën e synon Serbia. Qeveria duhet të japë shpjegime si u rrit prezenca e EULEX-it në veri, a u kërkua leje nga Qeveria, apo ndoshta kjo Qeveri kaq lehtë dorëzon sovranitetin në veri të cilin e arritëm me shumë mund përmes dialogut të Brukselit”, ka shkruar Tahiri.

Sipas saj qeveritë e kaluara kishin shtrirë sovranitetin në veri.

“Në qeveritë e kaluara e shtrimë sovranitetin në veri, vendosëm policinë shtetërore në veri dhe kufirin verior, vendosëm institucionet e drejtësisë dhe të tjera, ndërsa i shuam strukturat paralele serbe. Është urgjente të mbrohet veriu dhe t’i rikthehet sovraniteti shtetit të Kosovës në veri”, ka shkruar Tahiri.