Arbëri

EULEX-i njofton se në Kosovë kanë zbarkuar si përforcim 23 karabinierë italianë

Karabinieret italiane perforcuan EULEX-in ne Kosove

Misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX) ka njoftuar se njësiti policor i tij në Kosovë është përforcuar me 23 xhandarë nga karabinierët italianë.

Ata janë anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR).

EULEX-i ka njoftuar se ata do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë pas situatës së krijuar në veri.

Lajmin për përforcimin e EULEX-it e kishte kumtuar të martën mbrëma edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një postim në Twitter.

“NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme. NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tru nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti. NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë. NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme”, thuhet nga EULEX-i.

Është hera e dytë këtë vit që përforcohet njësiti policor i EULEX-it.

Në mars të vitit 2022, ishte përforcuar me 70 xhandarë nga Portugalia e Franca. Ata u larguan nga Kosova më 18 korrik.