Arbëri

Studentët imagjinojnë strukturat anatomike e aparati 3D që i virtualizon ato qëndron në depo

Për shkak të mosfunksionalizimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, qëndron në depo një pajisje me vlerë mbi 20 mijë euro që mundëson pamjen në 3D të strukturave anatomike të kafshëve. Për pasojë, studentët duhet t’i imagjinojnë ato, kur të mësojnë në literaturë

Një pajisje që Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë e bleu para dy vjetëve me vlerë mbi 20 mijë euro për t’ua mundësuar studentëve t’i shohin strukturat anatomike të kafshëve në 3D, nuk është duke u përdorur.

Kjo për shkak të mungesës së hapësirës brenda objektit të Fakultetit. E përdorimin e saj do ta mundësonte funksionalizimi i objektit të ri, i cili ka filluar të ndërtohet që në vitin 2013, por as edhe këtë vit nuk është i gatshëm për studentët.

Lekë Kumnova, i cili ndjek studimet në drejtimin mjekësi e veterinarisë, ka thënë se orën e anatomisë e mbajnë në një sallë që më shumë ngjason me një zyre sesa ambient për zhvillimin e ligjëratave.

“Prapë kjo është salla më e mirë që kemi. Tash imagjino sallat e tjera. Megjithatë duhet ta theksoj se profesorët mundohen të improvizojnë në mënyra të ndryshme që t’i marrim lëndët”, ka thënë Kumnova, i cili sivjet është në vitin e dytë të studimeve.

Kumnova ka thënë se të kuptuarit e organeve të kafshëve do të ishte shumë më i lehtë sikur aparatura që i prezanton ato në 3D të ishte në funksion të studentëve, por thekson se janë penalizuar për shkak të mosfunksionalizimit të objektit të ri.

“Na ka penalizuar goxha se anatominë e kemi mësuar me ligjërata, me ushtrime, por nuk i kemi pasur aparaturat që janë të nevojshme dhe që i kemi të gatshme, vetëm që nuk mundemi t’i fusim në funksion dhe ato do të na kishin ndihmuar goxha shumë”, ka thënë ai.

Edhe kolegia e tij, Aulona Belegu, ka thënë se është dekurajuese mospërdorimi i pajisjeve teknologjike, që, sipas saj, do t’ua lehtësonin studimet.

“Është më ndryshe kur ne i shohim ato drejtpërdrejt sesa t’i shohim përmes literaturave”, ka thënë ajo.

Pajisja që rri në magazinë është prodhim i kompanisë amerikane “Anatomage”, e cila është lider në tregun e teknologjisë së virtualizimit mjekësor. Kjo pajisje vizualizon në detaje organizmin e kafshëve. Në përshkrimin e kompanisë për këtë aparaturë, thuhet se qëllimi kryesor është që t’i përmirësojë rezultatet në mësimnxënie për studentët veterinarë.

Sipas stafit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, aparatura ndodhet në njërën nga magazinat e Fakultetit.

Ekipi i KOHËS ka insistuar që ta shohë nga afër pajisjen, por qasja nuk është mundësuar, nën arsyetimin se nuk e kanë çelësin.

KOHA ka kontaktuar sekretarin e Fakulteti, Skender Musaj, si dhe profesorët e drejtimit të Veterinarisë, Fatgzim Latifi, Arben Sinanin, si dhe Hamdi Aliu, por asnjëri nga ta nuk ka saktësuar magazinën në të cilën ndodhet aparatura.

Profesori i lëndës së anatomisë, Fatgzim Latifi, i cili pranoi se është përgjegjës për aparaturën, ka thënë se pajisja është në gjendje të mirë, mirëpo nuk është kompetent për të dhënë leje për ta vizituar atë.

“Ne jemi kujdesur me menaxhmentin, pasi nuk është faji i menaxhmentit që nuk është funksionalizuar objekti, pasi nuk varet nga Fakulteti, por nga instancat e tjera. Është izoluar mirë dhe është ruajtur mirë aparatura”, ka thënë ai.

Sipas Latifit, as universitetet në shtetet e Ballkanit nuk e posedojnë këtë pajisje, të cilën UP-ja e ka, por qëndron në magazinë.
“Vetëm ne e kemi si Fakultet dhe mungon në vendet e tjera shqipfolëse, por edhe në vendet e Ballkanit, prandaj ne e kemi marrë si shembull nga një Fakultet i Amerikës dhe mandej e kemi porositur këtë model”, ka thënë ai.

Objekti i ri i Fakultetit, hapësira e të cilit do ta mundësonte një vend për këtë pajisje, nuk është funksionalizuar për shkak se ndodhet afër një largpërçuesi të tensionit të lartë, i cili përbën rrezik për jetën. Kushtet teknike të lëshuara nga KOSTT-i për distancën prej së paku 7 metrash nga largpërçuesi nuk u respektua kur filloi të ndërtohej objekti.

Shkelja e distancës së lejuar u konfirmua pas angazhimit të një kompanie gjeodete. Stafi akademik i Fakultetit ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje që largpërçuesi të zhvendoset dhe objekti të kyçet në sistemin elektoenergjetik.

Më 3 tetor studentët dhe stafi kanë mbajtur grevë njëjavore, meqë viti i ri akademik kishte nisur në godinat e moçme të Fakultetit.

Studentët i vijojnë ligjërata në dy objekte të vjetra, si dhe në hapësirat e Gjimnazit të Specializuar Matematikor. Tri objektet ku studentët i ndjekin ligjërata kanë një distancë prej 4 kilometrash njëra prej tjetrës.