Arbëri

Komunat propozojnë që orët e humbura mësimore të kompensohen çdo ditë pune

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka propozuar të premten që kompensimi i orëve të humbura mësimore të bëhet çdo ditë pune me nga një orë shtesë.

Sipas kërkesës së AKK-së drejtuar Ministrisë së Arsimit, kompensimi i orëve të humbura gjatë së shtunave do të krijojë ngarkesë te fëmijët dhe familjet e tyre, “çka do të ndikonte drejtpërdrejt në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim”.

AKK-ja vlerëson se kompensimi i orëve të humbura gjatë së shtunave do të shtonte edhe shpenzimet për ngrohje të shkollave dhe mirëmbajtje të saj, pikërisht kur pritet që Kosova të ketë mjaft vështirësi në furnizim me energji elektrike këtë dimër.

“Dihet se funksionimi i ngrohjeve në shkolla, tash e sa kohë është kryekëput i varur nga furnizimi me energji elektrike, andaj mungesa e energjisë elektrike apo reduktimet me orare të gjata, do të pamundësonin funksionimin e sistemit të ngrohjeve në shkolla, rrjedhimisht do të krijonin pamundësinë e zhvillimit normal e të plotë të procesit mësimor”, ka njoftuar AKK-ja.

Transporti publik është një tjetër argument i AKK-së pse kompensimi i orëve të humbura nuk duhet të bëhet të shtunave. Sipas tyre, kjo do t’i shtonte kostot e nxënësve të cilët përdorin transportin publik për në shkollë, në kohën kur edhe në këtë sektor janë rritur çmimet.

“Si dhe probleme e sfida të natyrës teknike, organizative të cilat do të vështirësonin e në raste të caktuara të pamundësonin zhvillimin e procesit mësimor, andaj sa më sipër, gjykuar nga kjo situatë”, thuhet në kërkesën e AKK-së.

Sektori i arsimit ishte në grevë që nga 25 gushti. Sindikata e Bashkuar për Arsim pezulloi grevën javën e kaluar. Llogaritet që janë humbur katër javë pune nga greva.