Arbëri

Haxhimusa: Subvencionimi i energjisë me 6 mln €, një pikë uji në gur të nxehtë që avullohet shpejt

Eksperti i sektorit të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka deklaruar se gjashtë milionë eurot e ndara nga Qeveria për subvencionim të qytetarëve që kursejnë energjinë elektrike, janë “një pikë uji në një gur të nxehtë, që avullon shumë shpejt”.

Megjithatë ai e ka cilësuar këtë hap si një ndër format më të mira për ta luftuar krizën energjetike.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, të enjten, Haxhimusa këtë vendim të Ministrisë së Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve si kaldatë me biomasë, pompat termike, kondicionerët efiçientë e stufat individuale, tha se është një pilotprojekt për të parë se si reagojnë njerëzit.

“Energjia më e pastër është ajo që nuk konsumohet, kjo është një prej formave më të mira që mund të ndihmojmë dhe luftojmë këtë krizë energjetike që na ka kapluar kohët e fundit, e sa do të jetë kjo efektive mbetet të shihet, por patjetër që është një ndër format më të mira se si mund ta luftojmë krizën energjetike. Besoj që këta kanë dashur ta emërojnë këtë si lloj pilotprojekti për të parë se si reagojnë njerëzit. 6 milionë janë një pikë uji në një gurë të nxehtë që i bie se është shumë që avullohet shumë shpejt dhe nuk ka ndonjë lloj efekti për atë edhe po e quaj një lloj projekti”, ka thënë ai.

Në parim sipas tij, është hap i qëlluar, por mbetet për t’u parë se çfarë qëndron prapa detajeve të këtij vendimi.

Ai ka prezantuar një studim të asaj që është paraqitur të enjten, nga ministrja Artane Rizvanolli, për çka ka thënë se nëse kjo shumë që do të ndahet, investohet në pompa termike, i bie të përfitojnë 2400 familje dhe jo 10 mijë sa është thënë në konferencë.

Sipas tij, se sa do të jetë numri i familjeve që mund të përfitojnë nga kjo masë, varet edhe nga forma e shpërndarjes.

“I kam marrë disa numra dhe i kam shikuar se sa mund të jetë kursimi prej kësaj. Nëse supozojmë se e gjithë shuma prej 6 milionë eurove investohet në pompa termike, atëherë i bie që të bëhet një subvencionim prej 2500 euro, çmimi për njësi sillet rreth 8.333 euro ndërsa numri i familjeve që përfitojnë janë rreth 2400. Nëse e marrim dhe e shumëzojmë me numrin mesatar të anëtarëve të familjes që është në Kosovë, me 5.5 atëherë i bie që 13.200 qytetarë fitojnë nga kjo dhe kjo i bie diku 0.7 për qind e popullsisë. 2400 familje përfitojnë nga kjo, 10 mijë familje përfitojnë nëse e gjitha kjo sasi investohet në stufa individuale me dru ose kondicionerë, por kjo varet edhe se si bëhet shpërndarja”, ka thënë ai.