Arbëri

Pezullohen ligjëratat në Bujqësi, meqë s’u funksionalizua objekti i nisur në 2013-n

As këtë vit studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë nuk do t’i ndjekin ligjëratat në salla të reja. Shkaku i kësaj studentët dhe stafi akademik kanë vendosur që nga sot të hyjnë në grevë.

Objekti, i cili ka filluar të ndërtohet në vitin 2013, nuk është funksionalizuar për shkak se ndodhet afër një largpërçuesi të tensionit të lartë, i cili përbën rrezik për jetën.

Kushtet teknike të lëshuara nga KOSTT-i për distancën prej së paku 7 metrash nga largpërçuesi nuk u respektua kur filloi të ndërtohej objekti.

Stafi akademik i fakultetit kërkon që të gjendet një zgjidhje që largpërçuesi të zhvendoset dhe objekti të kyçet në sistemin elektoenergjetik.

"Kërkojmë nga instancat që ta marrin seriozisht kërkesën tonë për arsye të na krijojnë kushte relevante që ne t'i zhvillojmë veprimtaritë tona", tha profesori i Fakultetit të Bujqësisë e Veterinarisë, Fatgzim Latifi.

Studentët e këtij fakultetit ligjëratat i vijojnë në tri objekte të ndryshme, që, sipas tyre, nuk i plotësojnë kushtet bazike.

“Jeta ime studentore qysh prej vitit të parë deri më sot që tri vite ne ligjëratat i zhvillojmë në katër objekte brenda një dite gjë që është një problematik shumë e madhe për një vijueshmëri të rregullt të ligjëratave dhe për një pjesëmarrje aktive për ligjërata dhe në studime”, tha studenti Hamit Shala.

Menaxhmenti i Universiteti të Prishtinës i ka thënë stafit të fakultetit se po diskutohet me një grup ekspertësh ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje.

“Disa shtylla duhet me i vendosë në bazë të përcaktimit të profesionistëve të asaj lëmi, megjithëse nuk ka kompani në Kosovë, është një kompani ndërkombëtare ashtu siç na është thënë, kjo kompani selinë e ka në Sarajevë dhe mandej duhet bërë procedura e tenderimit, por pa u zhvendos, KEK nuk e bën kyçjen”, tha Latifi.

Për problemet që lidhen me procesin e ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës janë zhvilluar hetimet nga Prokuroria e edhe janë suspenduar zyrtarë.