Arbëri

Putini çmon Vuçiqin, flet rregullisht me të dhe i premton ndihmë për Kosovën

Foto: Reuters

Rusia do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me Serbinë, tha presidenti rus Vladimir Putin, të martën në ceremoninë e dorëzimit të marrëveshjes ambasadorëve të vendeve të huaja, përcjell “Nova.rs”.

Sipas tij, Rusia dhe Serbia janë të lidhura me një partneritet strategjik.

“duke u mbështetur në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të popujve tanë vëllezër, unë flas rregullisht me presidentin Vuçiq, gjatë takimeve personale dhe bisedave telefonike, për çështje kyç të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”, tha lideri rus.

Ai e ka vlerësuar siç ka thënë “politikën e balancuar” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Serbia është ndër vendet e vetme që ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Vuçiq ka thënë se as që i shkon në mend ta bëjë këtë.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e miqve tanë serbë për të zbatuar një politikë të balancuar dhe të pavarur në arenën ndërkombëtare”, tha Putin.

Siç tha ai, përcjell “Nova.rs”, Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në sferën ekonomike, shkencore-teknike dhe humanitare.

Foli edhe për Kosovën, përkatësisht për “misionin serb për të ruajtur integritetin territorial”.

“Në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne do të vazhdojmë t'u ofrojmë miqve tanë serbë ndihmë të gjithanshme në luftën për të drejtat dhe interesat legjitime të Serbisë, mbrojtjen e sovranitetit të saj shtetëror dhe integritetin territorial”, shtoi Putin.

Sipas “Nova.rs”, në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori serb në Moskë, Momçilo Babiq.