Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, e ka quajtur puro politike grevën në sektorin publik. Sipas tij, prapa grevës është opozita “që s’ka guxim të përballet me kryeministrin Albin Kurti”. Ai ka thënë se qëllimi i krijimit të krizës nga grevat është që të rrëzohet Qeveria.
“Grevat janë politike. Mendoj që grevat e SBASHK-ut janë politike, sepse janë mekanizëm i opozitës, që s’po guxon të përballet me Kurtin në asnjë debat. Po i përdor qysh i ka përdorur 18 vjet. Ka pasur edhe marrëveshje paraelektorale me SBASHK-un ku kanë dalë se tash do të kemi këtë rritje e kanë thënë do ta përkrahim këtë program. I njoh shumicën e sindikatave. Duhet të themi se shumica s’janë për grevë, por fatkeqësisht ajo e arsimit dhe ajo për shërbyesit civilë janë bllokuar”, ka thënë ai në “Java sonte me Rronin” në KTV të premten.
Ai ka thënë se Qeveria ka konfirmuar se do të jetë rritja më e madhe e pagave në këtë sektor, nëpërmjet Ligjit për Paga, që tashmë ka dalë në konsultim publik. Sipas Bajqinovcit, “do të rregullohet statusi i secilit njeri në administratën shtetërore”.
“Por fatkeqësisht këto dy sindikata s’po e kryejnë punën dhe mendoj se është edhe tendencë për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Bajqinovci. “E kemi pa edhe çështjen e pagës minimale kur pati protesta nga organizata e veteranëve, kur ishte opozita në prapavijë. Çdo tendencë të sindikatave e organizatave po shohim që opozita po manipulon sepse s’është e gatshme të përballet në asnjë formë me zotin Kurtin”.
Sipas tij, “më s’do të ketë rrëzim të Qeverisë”.
Nga 25 gushti Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është në grevë të përgjithshme. Grevistët po kërkojnë nga 100 euro shtesë në paga çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Qeveria nëpërmjet një pakoje për përballjen e inflacionit ua ka ofruar nga 50 euro në muaj, deri në fund të vitit, por s’ka pasur dakordim mes palëve. Kërkesat e grevistëve kanë të bëjnë edhe me skemat pensionale.
Bajqinovci: Kurti “e palavit” opozitën në debat, Abdixhiku kopjues i keq i kryeministrit
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se asnjë lider i opozitës nuk mund t’i afrohet në debat kryeministrit Albin Kurti.
Në “Java sonte me Rronin” në KTV, Bajqinovci ka komentuar akuzat që Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, dhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, hodhën ndaj Kurtit dhe Qeverisë të enjten në Kuvend. Krasniqi e pati quajtur frikacak Kurtin pasi ai lëshoi sallën, ndërsa Abdixhiku u shpreh se “Kurti duket si kopshtar në luftë, e luftëtar në kopsht”.
“Jam që dy mandate deputet. E di si debaton Kurti. Këta jo që i çmonton, po ‘i palavit’ kur thotë populli. Kurti s’merret me disa gjëra minore. Ka pas edhe takim me Lajçakun prandaj ka lëshuar sallën. Përndryshe këta s’i bën hesap. Është i jashtëzakonshëm në debate. Është aty për aty. S’i duhet të përgatitet. S’po kanë ku me iu kapë, njëherë ‘antiamerikan’ e pastaj të paqena tjera, e në fund tuc, tuc tuc... Ose ai imitatori i dobët i Albinit (referuar Abdixhikut). Edhe në sjellje tenton ta kopjojë Albinin komplet. Është imitues i dobët. Provon me disa fraza me e kopju, me disa fjalime që Kurti i ka shumë origjinal. Kopje shumë e keqe. Po tenton të duket se ka batuta. S’e ka fytyrën për batuta. Më shumë rri para pasqyrës të rregullohet. Ata të batutave janë ndryshe. S’e ka stilin e Kurtit. Po e kopjon keq. Është imitator. E lus ta ndërrojë stilin. Po e kopjon Albinin keq”, ka thënë Bajqinovci.
Sipas tij, opozita s’po mund ta sfidojë Kurtin. Bajqinovci ka thënë se më mirë dinë të argumentojnë nga shoqëria civile se nga opozita.