1 perditesime
23:24

Krasniqi: Sulmi kibernetik në Telekom, i njëjtë me atë që ndodhi në Shqipëri

Drejtori teknik në Telekom, Halil Krasniqi, ka thënë se Telekomi deri tani është i sigurt nga sulmet kibernetike, por ka shtuar se duhet të punohet vazhdimisht në rritjen e sigurisë.

Ai në Interaktiv të KTV-së, tha të mërkurën, se deri më tani nuk është kërkuar ndihmë nga jashtë për t’u përballur me këto sulme.

Ka deklaruar se sulmi në Telekom është i të njëjtit lloj sikurse ai që ndodhi në Shqipëri.

“Është një reagim që duhet të bëhet ndërmjet aleatëve, ndërmjet shteteve mike dhe institucioneve. Kontakte direkte me jashtë nuk kemi, por i kemi të përditësuara sistemet. Përveç ngarkesës së shkaktuar në rrjet nuk ka prodhuar ndonjë dëm tjetër”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se janë duke kryer detyrat brenda kompanisë për ta ruajtur sigurinë kibernetike, porse ka shtuar se po presin edhe rekomandimet e Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë.

Ka thënë se themelimi i një agjencie për sigurinë kibernetike është i domosdoshëm.

Sipas tij, duhet të ketë mobilizim të gjithanshëm për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.


Krasniqi: Shërbimet e Telekomit prezente edhe në Jarinje dhe Bërnjak me 2 dhe 4G

Drejtori teknik në Telekomin e Kosovës, Halil Krasniqi, ka njoftuar se shërbimet e kësaj kompanie tashmë janë qasshme edhe në veriun e Kosovës.

Në një intervistë për Interaktiv në KTV, Krasniqi ka thënë se shërbimet e këtij operatori janë prezente në pikat kufitare, duke përfshirë edhe Bërnjakun dhe Jarinjen.

“Ka pasur pengesa më herët, p.sh., ka diku para 10-15 viteve një stacion bazë që e kemi pasur në veriun e Mitrovicës është djegur, tashmë jemi prezentë në pikat kufitare me shërbimet tona, edhe në Bërnjak edhe në Jarinje, në Bërnjak me shërbimet 4G, ndërsa në Jarinje me shërbimet 2G”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se Marrëveshja e Brukselit i lejon edhe operatorët tjerë aty, por nuk i ndalon operimet e Telekomit në këtë pjesë, pasi është territor i Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit i lejon operatorët tjerë aty, por nuk na ndalon ne operatorët e vendit, shtrirjen aty. Besoj që nuk është vështirë për ta parë që pengesat vinë prej vendit fqinj. Telekomi nuk ka bërë përpjekje për t’u zgjeruar atje pas djegies së stacionit, por që së fundmi përpjekjet po bëhen”, ka shtuar ai.

23:19

Krasniqi: Sulmi në Telekom u shkaktua nga 30 mijë kompjuterë të huaj

Drejtori teknik në Telekomin e Kosovës, Halil Krasniqi, deklaroi se që nga e marta, kjo kompani është përballur me sulme kibernetike, por që nuk kanë rrezikuar sigurinë e konsumatorëve.

Ai tha të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, se sulmi u krye nga 30 mijë kompjuterë.

Sipas Krasniqit, sulmet janë të paidentifikuara dhe se kanë ardhur nga IP të ndryshme të huaja.

“Sulmi njihet si DDoS, është një sulm që krijohen pako të rrejshme në rrjet, nga shumë kompjuterë. Cak s’është një IP i caktuar. Dëmi i vetëm është ngarkesa në rrjet. S’ka ndonjë rrezik tjetër në sistemin e rrjetit. Kemi identifikuar një rang të madh të IP-ve, 30 mijë kompjuterë në të njëjtin kohë kanë sulmuar serverin tonë të Telekomit. Kanë qenë vende të ndryshme sulmet, por IP-të që vinë, vinë edhe nga kompjuterë në rrjet që as vet nuk e dinë që po të sulmojnë. Sulmuesi i infekton me mijëra kompjuterë dhe arrin ta sulmojë cakun”, deklaroi ai.

Krasniqi tha se po bëhet analizë se nga cilat shtete pati sulme, derisa shtoi se janë duke bashkëpunuar me autoritetet e sigurisë për zbardhjen e rastit.

“Telekomi ka pasur kontakt sot me organet, kjo çështje nuk është e vetëm një operatori të mbrohet. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe do të shohim, pasi nga këto IP-të nuk mund të gjendet burimi apo sulmuesi. I kemi mekanizmat tona për t’u mbrojtur nga këto sulme”, tha tutje Krasniqi.

Drejtori teknik i Telekomit potencoi se aktualisht kompania është e sigurt, por që duhet pasur kujdes dhe të jenë vigjilentë.