Arbëri

Kryeministri vlerëson që gjendja në shëndetësi është e rëndë për ta menaxhuar vetëm ministri Latifi

Gjendja e rëndë në shëndetësinë publike ka bërë që Qeveria e Kosovës të themelojë Komision Ekzekutiv për Shëndetësi.

Ky komision do të udhëhiqet nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai këtë nuk e ka konsideruar si rivalizim e as si menaxhim paralel të shëndetësisë.

Por ka deklaruar që situata në shëndetësi është në gjendje të keqe e nuk mjafton që për këtë çështje të angazhohet vetëm ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

KOHA nga burime të ndryshme ka mësuar që pothuajse të gjithë menaxherët e hallkave të sistemit shëndetësor publik nuk komunikojnë në mënyrë normale mes vete e kanë raporte të acaruara.

Në këto hallka janë: u.d. drejtori i SHKSUK-së, Bordi i SHSKUK-së, sekretari e ministri i Shëndetësisë.

Kurti është pyetur pikërisht për raportet mes këtyre zyrtarëve. Nuk e ka mohuar faktin që këto hallka nuk komunikojnë mes vete në mënyrë normale, por ka lënë të kuptohet që në këtë komision gjërat do të zgjidhen.

“Pasdite e kemi mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, dhe aty komunikimi do të shkojë në rregull. Jam i bindur për këtë gjë, dhe do të ndikojë për të mirë, komplet në institucionet e shëndetësisë jo vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë Kurti në mesditën e së mërkurës.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë, para kësaj konference, ka folur për ato që i quan suksese në një vit e gjysmë qeverisjeje.

Në konferencë, KOHA i ka kërkuar atij që t’i përmendë tri suksese gjatë qeverisjes së tij në shëndetësi e që nuk kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë. Ai nuk ka përmendur asnjë sukses.

“Për javën e ardhshme secili ministër t’i sjellë 4 apo 5 të arriturat kryesore për 1 vit e gjysmë. Në të njëjtën kohë kam thënë që t’i sjellin 4 apo 5 të arriturat kryesore, që janë të këqija që i kemi ndalur. Disa të mira janë, që janë ndalur disa të këqija, por duhet të këtë të mira që nuk janë fare në raport me të këqijat”, shtoi ai.

Sektori i shëndetësisë është një nga fushat ku më së shumti është kritikuar kryeministri Kurti. Deri tani publiku nuk është njoftuar për asnjë projekt konkret në këtë sektor.

Urologu i QKUK-së, Liridon Selmani, që është pjesë edhe e PDK-së e ka konsideruar të duhur reflektimin e Kurtit për këtë çështje edhe pse, sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte ndërrimi i ministrit të këtij dikasteri.

“Nuk jam i sigurt nëse këto linja paralele të funksionimit janë shembull i mirë dhe efikas në kuptimin e dublifikimit të rolit të institucioneve - pasi tashmë ne kemi një Ministri të Shëndetësisë. Gjithsesi, shumë më e lehtë do të ishte të caktohet një ministër tjetër më kompetent sesa të kamuflohet dështimi i tij me formim të komisioneve shtesë”, tha Selmani.

Të gjithë menaxherët e shëndetësisë publike e të institucioneve kyç janë të zgjedhur nga Qeveria Kurti.