Arbëri

Kosova kujton mbretëreshën Elizabeth

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu shprehi ngushëllime Familjes Mbretërore dhe qytetarëve britanikë për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth.

Ai shkroi në Twitter të enjten se puna e përkushtimi i saj, dhanë inspirim për të gjithë.

“Populli i Kosovës dhe unë i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes mbretërore dhe popullit britanik për vdekjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II. Përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira. U prefsh ne paqe”, shkroi Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se populli i Kosovës është thellësisht i mërzitur me vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth. Ajo shkroi në Twitter se Elizabeth ishte lidere e vërtetë dhe grua e jashtëzakonshme.

"Vdekja e Lartmadhërisë së Saj shënon fundin e një epoke si monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, por trashëgimia e Elizabetës së Madhe do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë. Populli i Mbretërisë së Bashkuar na erdhi në ndihmë në ditët tona më të errëta, ndaj sot ne bashkëndjejmë me zemër të rënduar për këtë humbje të madhe së bashku me Familjen Mbretërore dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar", shkroi Osmani.

Ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ai shkroi në Facebook se populli i Kosovës është falënderuar për kontributin e saj dhe të Britanisë së Madhe për lirinë e Kosovës.

“Mbretit Charles III, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve të Commonëealth, iu shprehim ngushëllimet më të përzemërta, për humbjen e Mbretëreshës Elizabeth II. Populli i Kosovës, gjithmonë falënderues për kontributin e saj dhe të Britanisë së Madhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës. U prehtë në paqe”, shkroi Haradinaj.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, shkroi se Londra "është ndaluar" për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth.

“Londra e gjallë është ndalur për një moment. Mbretëresha Elizabeth II paska vdekur. Ngushëllimet e mia më të sinqerta popullit britanik”, shkroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se mbretërimi i Mbretëreshës Elizabeth do të mbahet mend për përparimin dhe vendin e shquar të Mbretësisë së Bashkuar.

“Ne, i bashkohemi dhembjes së qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe gjithë Commonëealth-it për këtë humbje të madhe, për personalitetin e jashtëzakonshëm që rrezatoi mirësi, paqe dhe mirëkuptim mes popujve. Mbretërimi i saj do të mbahet mend për përparimin dhe vendin e shquar të Mbretërisë së Bashkuar nga kohërat e Luftës së Ftohtë e deri më sot, si fuqi globale, duke dhënë shembull me jetën dhe veprën e saj”, shkroi ai në Facebook.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se LDK-ja bashkëndien me popullin britanik, me rastin e vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

“Mbretëresha ishte një frymëzim dhe shtyllë për botën perëndimore; duke shërbyer me shumë guxim dhe zell. Lutjet tona janë për Familjen Mbretërore”, shkroi Abdixhiku.

LEXO EDHE: Kosova dhe trashëgimtari i fronit