Arbëri

Dyshohet se “Beni Dona” e furnizoi Njësitin Special me ushqim pa afat

Descriptive Text

Kompania “Beni Dona”, që furnizon me ushqim njësinë elite të Policisë së Kosovës, dyshohet se u ka dërguar atyre ushqime me afat të skaduar. Denoncimin bëhet e ditur se e kanë bërë vetë efektivët e Njësisë Speciale për Intervenim, ndërsa është publikuar në raportin e shpejtë të hetuesisë, të cilin e ka siguruar KOHA.

“Më datë 6.9.2022, në orën 17:50, hetuesit rajonalë kanë pranuar informatë se NJSI-ja me bazë në Kampin Belveder, në Lagjen e Bairit në Mitrovicë, ka një ankesë për furnizuesin e ushqimit të tyre, kompaninë Beni Dona SHPK”, thuhet në dokument.

Sipas raportit, hetuesit kanë shkuar në Njësinë Speciale dhe kanë fotografuar produktet ushqimore që dyshohet se u ka skaduar afati rreth një muaj më parë.

“Hetuesit i janë përgjigjur kësaj informate dhe kanë kontaktuar me zyrtarë të kësaj njësie, nga të cilët janë njoftuar se furnizuesi i ushqimit, kompania “Beni Dona SHPK” me seli në Prishtinë, më datë 4 dhe 5 shtator 2022, kishte sjellë ushqim të konservuar me afat të skaduar. Hetuesve nga zyrtarët e NJSI u janë prezantuar ushqime të konservuara të llojit peshk-sardele, të cilave u kishte skaduar afati i përdorimit më 12.8.2022. Krim-tekniku ka bërë fotografimin e ushqimit të skaduar”, thuhet aty.

Hetuesit policorë së bashku me inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë shkuar në njërën nga depot e kompanisë “Beni Dona”. Raporti thotë se aty kanë hasur edhe në një problem tjetër.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe inspektorët sanitarë të AUV-it, të cilët në cilësinë e provës materiale kanë marrë ushqimet e konservuara me afat të skaduar dhe mostra nga racionet me ushqim të nxehtë për ekzaminim. Inspektorët e AUV-it kanë inspektuar edhe depon e kësaj kompanie, të cilët kanë vlerësuar se ushqimet në depo nuk ruheshin sipas standardeve të parapara, pasi temperatura në depo që duhet të ishte 4-6 gradë celsius, ishte 20 gradë celsius”.

Sipas raportit, hetuesit përmes telefonit kanë kontaktuar prokurorin kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rast për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

Në raport po ashtu është evidentuar e dhëna se pjesëtarët e Njësisë Elite të Policisë kanë konfirmuar konsumimin e ushqimit pa afat.

“Sipas zyrtarëve të kësaj njësie, besohet se një pjesë e këtij ushqimi me afat të skaduar është konsumuar nga pjesëtarë të Policisë, mirëpo deri më tani nuk është paraqitur ndonjë ankesë për ndonjë helmim të mundshëm”, është e sqaruar më tej aty.

Aksioni i bastisjes është i përfshirë në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës për ditën e martë, por pa u dhënë detaje se për cilën kompani bëhet fjalë.

“Ankuesit kanë njoftuar se nga operatori i kontraktuar janë sjellë produkte me afat të skaduar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e AUVK-ut dhe, sipas ekzaminimeve të tyre, ushqimet nuk ruheshin sipas standardeve të parapara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Në orët e mbrëmjes KOHA ka arritur ta kontaktojë pronarin e kësaj kompanie, Ragip Mustafa. Në një bisedë të gjatë ai ka kontestuar raportin e Policisë së Kosovës për këtë çështje dhe ka hedhur dyshime që krejt kjo mund të këtë qëllime të tjera.

“Dyshojmë që këto nuk janë tonat në bazë të fotos dhe në bazë të datës. Materiali ynë e ka datën në një vend tjetër, e ato që na kanë dërguar e kanë në një vend tjetër, që i ka kaluar kinse dy javë ditë, por s’është me rëndësi ajo, edhe një ditë po të ishte”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka kontestuar edhe pjesën për kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore. Ka deklaruar që ajo është depo e Policisë së Kosovës dhe vetë ai i ka shkruar këtij institucioni për mundësinë që ai të investojë në rregullimin e kushteve për ruajtjen e ushqimit.

Në fillim të vitit KOHA ka raportuar për disa hetime që po zhvilloheshin kundër kompanisë “Beni Dona” për falsifikim në tenderët me ushqim në disa institucione, përfshirë edhe në atë për Forcën e Sigurisë. Sipas burimeve, njëri rast hetimor është mbyllur e tjetri është në procedurë.