Qytetarët ankohen se në raftet e marketeve kanë hasur shpesh produkte ushqimore me afat të skaduar apo fare pranë skadimit. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ankohen për numër të vogël të inspektorëve, ndërkohë nga shoqata “Konsumatori” thonë se, sipas matjeve, vetëm 1 për qind e produkteve inspektohen
Që nga fillimi i vitit e deri më tash inspektorët kanë larguar nga tregu mbi gjysmë milioni kilogramë produkte që nuk i kanë plotësuar kriteret e sigurisë për konsum.
Shumë prej këtyre produkteve zbulohen nga konsumatorët e përditshëm.
Qytetarët ankohen se në raftet e marketeve kanë hasur shpesh produkte ushqimore me afat të skaduar apo fare pranë skadimit.
Ilir Jakupi tregon se të tillat kryesisht hidhen në aksion me çmim të ulët.
“Kam hasur në produkte të skaduara, janë të rrezikshme, sepse varet edhe nga kushtet e magazinimit ku mbahen ato, sa qëndrojnë jashtë. Ka produkte që qëndrojnë për një kohë shumë të gjatë jashtë, në diell. Uji p.sh. i ambalazhuar në shishe të plastikës”, ka thënë Jakupi.
Konsumatori tjetër, Egzon Latifi, ka kërkuar që institucionet të shqiptojnë masa të rrepta ndaj bizneseve që shesin produkte me afat të skaduar.
“Sa i përket afatit të skadimit nuk falet hiç, pasi dikush mund edhe të sëmurët prej tyre, sidomos me ëmbëlsira dhe vezë”, ka thënë Latifi.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë treguar se mes arsyeve për asgjësim të artikujve është afati i skaduar i përdorimit të tyre, por edhe mosruajtja e produkteve sipas kushteve të kërkuara.
Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë agjenci, ka shtruar nevojën për shtim kapacitetesh inspektuese.
“Sigurisht që nevojën e kemi shumë të madhe për rritje të numrit të inspektorëve, sidomos në sektorin veterinar sanitar dhe jemi në pritje të aprovimit të pozitave të reja. Me shtim të numrit të inspektorëve ne do ta shtojmë frekuencën e kontrollit tek operatorët ekonomikë, sidomos tek ata operatorë që punojnë me produkte me origjinë shtazore”, ka thënë Thaçi.
E, në shoqatën “Konsumatori” thonë se inspektimet që bëhen aktualisht në Kosovë janë të pamjaftueshme. Aktivisti dhe themeluesi i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, u shpreh se gjatë monitorimeve është ballafaquar shpesh me raste të tilla.
“Kontrollohet mesatarisht rreth 1 për qind e ushqimeve në bazë të mostrës së rastësishme dhe kur themi mostër e rastësishme, imagjinoni për shembull në 1 milion artikuj dhe nga ata 1 milion artikuj kontrollohen 10 mijë, ky është 1-përqindëshi. 990 mijë kalojnë pa kontroll, mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë Kaçaniku.
Shitja e produkteve me afat të skaduar të përdorimit është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Përpos gjobave, Ligji parasheh edhe ndalimin e kryerjes së veprimtarisë deri në gjashtë muaj të bizneseve që shesin mallra të tilla.