Agron Demi, analist i politikave në institutin “GAP”, ka thënë se në vend duhet të bëhet vetting në drejtësi sa më parë, për gjykatësit dhe prokurorët, që, sipas tij, kanë marrë anën e abuzuesve.
Duke publikuar shifra të dënimeve me kusht ose gjobë për rastet e dhunës seksuale, Demi në një shkrim në Facebook ka komentuar ankesën e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial për ndërhyrje në punën e tyre nga ana e kryeministrit Albin Kurti, që të premten i kritikoi për heshtje për rastin e dhunës seksuale ndaj një 11-vjeçareje në Prishtinë javën e kaluar.
“Janë 219 gjykatës që për krime seksuale kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve. Në 85% të rasteve viktimat janë vajza të mitura. Janë edhe 140 prokurorë që kanë lejuar që lëndët e krimeve seksuale të parashkruhen. Janë me dhjetëra gjyqtarë tjerë që kanë dhënë dënime me burg nën limitin e paraparë ligjor. Janë së paku 359 gjykatës e prokurorë që 'në emër të popullit' kanë marrë anën e abuzuesve kundër pjesëtareve më të pambrojtura të shoqërisë. Zero përgjegjësi. E del sot Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial edhe ankohen për ndërhyrje në punën e tyre e thirren në pavarësi e profesionalizëm. Të njëjtat këshilla që në vitin 2019, 95% e prokurorëve dhe 99% e gjyqtarëve i kanë vlerësuar ‘mirë’ ose ‘shumë mirë’ dhe asnjë nuk u vlerësuar ‘pamjaftueshëm’". #vetting sa më parë”, ka shkruar Demi në Facebook.
Pak ditë më parë është bërë publik rasti i dhunimit seksual të 11-vjeçares në Prishtinë, që pretendohet të jetë kryer më 27 gusht, nga pesë të dyshuar, tre prej të cilëve të mitur. Pesë të dyshuarit tashmë janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar nga një muaj paraburgim. Ky rast ka nxitur reagime të shumta, derisa janë zhvilluar edhe protesta në Prishtinë, Tiranë e Shkup.