Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi se disa drejtori komunale refuzuan të bashkëpunojnë me MASHTI-n për të treguar se në cilat shkolla u mbajt greva.
Pupovci deklaroi të enjten në Interaktiv të KTV-së se sipas informatave, shumica e shkollave nuk u hapën për nxënësit më 1 shtator, ndonëse në disa u mbajt procesi mësimor i plotë.
“Kemi një laramani të procesit të arsimit, ku një pjesë e mban grevën, e një pjesë mban mësimin. Në disa komuna janë ftuar drejtorët e shkollave që iu janë kërkuar të futen në grevë. Këto raste paraqesin shkelje të konventave të grevës, imponimet e tilla janë të papranueshme, sikurse janë të dënueshme edhe presionet për të hequr dorë nga greva”, deklaroi ai.
Sipas Pupovcit, Ministria e Arsimit takimin e fundit me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK0m, e ka zhvilluar më 18 gusht, ku janë diskutuar koeficientët e pagave të mësimdhënësit, në përpilimin e Ligjit të pagave.
“Bisedat tona janë zhvilluar në çështje ku kemi kompetenca, te koeficientët e pagave, bashkë i kemi punuar ato koeficiente dhe i kemi dërguar në grupin e punës. Kur ka dalë versioni, ato koeficientë janë në draftin e projektligjit”, tha ai.
Zëvendësministri i Arsimit theksoi se SBASHK-u në takim e ka hapur temën e ndarjes së 100-eurove çdo muaj, por që kjo sipas tij, përfshin edhe punonjës të tjerë të sektorit publik.
“Për këtë kërkesë iu kemi thënë se ne nuk jemi ata që mund ta mbështesim sepse kjo do të duhet të shtrihet në të gjithë sektorin publik, edhe të pensionistët, kategoritë sociale. Arsyetimi i kësaj (nga SBASHK-u v.j.) është se ka ardhur deri te një ngritje e madhe e çmimeve. Ne që tani, në bazë të statistikave, e kemi pagën mesatare 612 në sektorin publik, ndërsa paga mesatare në sektorin privat është 419 euro. Nëse si ministri do ta mbështesnim këtë, ky hendek do të rritej”, shtoi ai.
Pupovci potencoi se në kushte të grevës, sindikatat i paguajnë vetë grevistë, por sipas tij, kjo në Kosovë nuk është respektuar.
“Te ne jemi mësuar ndryshe, kur kanë ndodhur grevat e tjera, Qeveritë e kanë parë më të arsyeshme të mos ndalojnë pagesën. Qeveria me pezullim të pagave për mësimdhënësit po e respekton ligjin”, tha tutje Pupovci. Ai theksoi se kjo çështja po shkakton tensione të panevojshme, duke shtuar mbledhja e të dhënave se kush është në grevë nuk duhet të shihet si presion.