Pacientet me sëmundje reumatike kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë për barin “Etanercept”.
Nga rreth 114 pacientë, këtë javë këtë medikament në Klinikën e Reumatologjisë e kanë marrë vetëm 60 pacientë.
Skender Ajvazi, qytetar, ka thënë se para dy javëve nga Ministria e Shëndetësisë u është thënë se nuk do të ketë më problem për disa ampula Etanercept, për të cilat thotë se i marrin çdo javë.
“Por, as dy javë nuk shkuan dhe thanë nuk ka, vetëm gjysma e pacientëve me e marrë. Problem kryesor është furnizimi. Furnizuesi është më i fortë se Ministria e Qeveria. Problemin më të madh e kemi për këto ampula që janë biologjike që pa to nuk po mundemi me pas jetën e rehatshme. Po kemi dhimbje, probleme dhe këtu Ministria thotë jo i ka fajet furnizuesi, jo ai. Ne jemi në gjendje të rëndë. Dhe fajin kryesor e ka furnizuesi ‘Santefarm’. Neve sëmundja nuk na pret. Sëmundja neve na ka deformuar, jemi të sëmur, kemi dhimbje, kemi temperaturë. Duam të gjejmë zgjidhje një herë e përgjithmonë”, ka thënë ai.
Edhe Sadik Spahiu nga Komuna e Pejës ka thënë se nga Ministria e Shëndetësisë u është thënë se do të ketë furnizim të rregullt me këtë medikament.
"Këtë terapi biologjike ka katër vjet që e marr, por kohën e fundit kemi pasur probleme. Sidomos kësaj vere e kanë tepruar. Ishim edhe para dy jave në Ministrinë e Shëndetësisë, na premtuan që do të ketë furnizim më të rregullt, por siç po shihet deri më tash nuk ndodhi. Javën e kaluar e kemi marrë e këtë javë kanë qenë 60 doza për 60 pacientë kur na gjithsej jemi afër 113 pacientë. kjo për ne është shumë e palogjikshme edhe shumë e paarsyeshme, pse nuk merr ministri i Shëndetësisë diçka për neve. Na jemi të varur prej kësaj doze. Kjo është dozë biologjike, nuk është ineksion i thjeshtë", ka thënë ai.