Arbëri

Kurti beson se s'do të ketë nevojë për reciprocitet, sheh reflektim te Serbia

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekziston mundësia që më 1 shtator të mos ketë nevojë për reciprocitet për letërnjoftime me Serbinë, pasi siç ka thënë, ka mundësi që Serbia të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve të përkohshme në vendkalimet kufitare për qytetarët e Kosovës.

Pas takimit që ka pasur të mërkurën mbrëma, në Bruksel, me të dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e Posaçëm të SHBA-së pë Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kurti ka deklaruar se mund të ndodhë që njëjtë si për targat, Serbia të heqë dorë edhe për dokumentet.

“Është e mundshme që ne nuk do të lëshojmë më 1 shtator sepse edhe Serbia do të heq dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Derisa do të ketë targa të përkohshme në anën e Serbisë, do të ketë të tilla edhe në Kosovë. Ne po diskutojmë për zgjidhje jo për shtyrje, e kemi shtyrë më 31 korrik për datën 1 shtator, por ne shtyrjen e kemi bërë vetëm në momentin kur janë hequr të gjitha barrikadat. Serbia ka hequr dorë nga targat e përkohshme dhe nuk i kemi vënë as ne, tash i kemi letrat ngjitëse. Reciprociteti është parimi. Nuk kemi qëllime të njëanshme dëmtuese”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se në takimin e së enjtes me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Lajçakun në kuadër të dialogut, janë dy tema të rëndësishme.

“Janë dy tema të rëndësishme, e para janë elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë me njohje reciproke, dhe tjetra është për çështjet aktuale, ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale me vështirësitë dhe pengesat që janë shfaqur kohët e fundit.Ne jemi për lëvizje të lirë, lëvizjen e lirë e kanë penguar barrikadat, 13 sosh që u ngritën në veri, nëpër shumë rrugë atje të dielën e 31 korrikut, ndërkaq Policia e Kosovës me profesionalizëm dhe guxim u ballafaqua me një situatë të vështirë. Për të pasur liri të lëvizjes duhet të kemi vetëm rrugë legale, prandaj rrugët ilegale në veri duhet të mbyllen. Këtë çështje e kemi ngritur edhe në takim sot me Stoltenbergun, ndërkaq sa i përket vendkalimeve kufitare ne po e bëjmë atë që tashmë e bën Serbia që 11 vjet, një dokument për hyrje-dalje për ata që vijnë nga Serbia në Kosovë”, është shprehur ai.