Arbëri

Kurti i kërkon Stoltenbergut anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën në Bruksel, se Kosova kërkon anëtarësimin në NATO.

Kurti ka thënë se kërcënimet dhe rreziqet e sfidat që NATO-ja i përballon sot, ndjehen edhe nga Kosova.

“Kemi një vizion të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne. Kërcënimet rreziqet dhe sfidat që NATO-ja i përballon sot ndjehen edhe nga vendi jonë. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilente ndaj agjendës së dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Qeveria dhe populli i Kosovës e mirëpret besimin dhe përkushtimin tuaj për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë”, ka thënë Kurti.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur ato që ka thënë në takimin me presidentin serb, se KFOR-i është në gatishmëri në rast se cenohet stabiliteti.

“Misioni paqeruajtës i KFOR-it është atje dhe komandanti ka kontaktuar me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe shefin e mbrojtjes në Serbi. KFOR-i është i gatshëm për të ndërhyrë nëse stabiliteti rrezikohet. KFOR-i ka më shumë se 3.700 trupa. Jemi plotësisht të përkushtuar ndaj mandatit tonë dhe rezolutës 1244. KFOR-i do vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për popullin në Kosovë”, tha ai.

Stoltenberg: Siç e demonstruam në veri, prapë rrisim trupat e NATO-s në rast përshkallëzimi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se fakti që NATO-ja është në Kosovë me gati 4000 trupa tregon përkushtimin dhe gatishmërinë e ndërhyrjes në rast të rrezikimit të stabilitetit në vend.

Ai theksoi se prania e trupave ndërkombëtare ndihmon në depërshkallëzimin e situatës. Teksa shtoi se ashtu siç e ka demonstruar shumë herë, NATO-ja mund të zbarkojë e të rrisë praninë e trupave në rast rreziku.

“NATO-ja është në Kosovë me gati 4000 trupa dhe është prania më e madhe ushtarake jashtë territorit të NATO-s. Shprehim përkushtim tejet të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, për Kosovën. Trupa të trajnuar, të udhëhequr mirë, forcat e NATO-s, vetëm prania e tyre ndihmon në deeskalim apo depërshkallëzim. Kur është e nevojshme e kemi demonstruar shumë herë se mund të zbarkojmë dhe të rrisim praninë tonë, për shembull si në veri atë që e kemi bërë në javët e fundit. Mund ta rrisim prapë praninë tonë dhe kemi patrulla të rregullta të KFOR-it në veri”, tha ai.

Stoltenberg shprehu bindshëm se aleanca ushtarake do të bëjë gjithçka të mundur për ta parandaluar çfarëdolloj përshkallëzimi në Kosovë.

“Veprimet tona do jenë proporcionale, të matura, por të qarta dhe do bëjmë çdo gjë të nevojshme për të parandaluar çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes. Ajo që e kemi dëshmuar shumë herë e demonstron atë që NATO-ja arrin ta bëjë atë që është e nevojshme kudo dhe atë ku është e domosdoshme”.