Arbëri

Demolli-Nimani: Mostransparenca tregon arrogancën e Qeverisë Kurti

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL ka akuzuar për mostransparencë dhe arrogancë Qeverinë Kurti, duke iu referuar vështirësive që ka hasur shoqëria civile, siç pretendon ajo, për të pasur qasje në dokumentet për monitorimin e Planit Strategjik Operacional të Qeverisë (PSO) për periudhën janar – qershor 2022.

Sipas saj, Qeveria ka shfrytëzuar të gjitha afatet ligjore deri në fund për ta shtyrë qasjen në dokumentet për monitorimin e PSO-së gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Ajo thekson se kjo nuk ka ndodhur në qeveritë e kaluara.

“Nuk u publikuan këto dokumente, edhe pasi kemi bërë kërkesa. Afër një muaji pas kërkesave tona, e kemi pasur këtë plan të detajuar. Mund të konsiderohet si jotransparencë. Jemi detyruar të bëjmë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Janë shfrytëzuar të gjitha afatet ligjore nga Qeveria deri në dhënien e planit. Kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën. Por jo vetëm për këtë plan. Ka pas vështirësi për qasje në një sërë dokumentesh. Me një fjalë arritëm me detyrim ta marrim planin. Na dha Planin vetëm pas kërkesës për qasje në dokumente publike. Kjo mund të përkthehet si arrogancë e pushtetit. Arroganca e numrave e ka bërë të veten”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.

Demolli-Nimani e ka vlerësuar Ministren e Drejtësisë si më transparenten në rastin e Planit Strategjik Operacional, ndërsa ka kritikuar atë të Mbrojtjes e cila nuk iu përgjigj pyetësorit.

“Ministria e Mbrojtjes nuk ka kthyer përgjigje në këtë pyetësor me arsyetimin se zyrtari është i sëmurë dhe nuk ka mundur ta plotësojë. Por aty nuk është vetëm një zyrtar”, ka shtuar ajo.

Ajo ka theksuar se Qeveria ka pasur një plan shumë ambicioz për gjashtë muajt e parë të vitit, që sipas saj, vjen si rezultat i “mospërvojës në qeverisje”.

Nga 2063 aktivitete të parapara për këtë periudhën janar – qershor 2022 në Qeverinë Kurti, janë realizuar vetëm 983, në monitorimin që publikoi të shtunën Lëvizja FOL.